Fulhami interesohet për Elbasan Rashanin

10:51 | 23 Korrik 2019

Elbasan Rashani ka rënë në radar të Fulhamit, falë paraqitjeve të shkëlqyeshme me ekipin norvegjez, Odd Ballklubb. 26 vjeçari mund të luajë në Championshipin anglez sezonin e ardhshëm

Fulhami ia ka vënë syrin futbollistit kosovar, Elbasan Rashani, në tentimin e tij për t’u rikthyer në Premierligë, shkruan “Daily Mail”.

“The Cottagers” janë të vendosur ta pasurojnë ekipin e tyre para sezonit që i pret në Championship dhe Rashani, i cili luan në ekipin norvegjez Odd Ballklubb, ka hyrë në radarin e klubit londinez.

26 vjeçari e ka rikthyer formën në Norvegji dhe me paraqitjet e tij e ka zgjuar interesimin e klubeve të ndryshme evropiane.

Ai e ka ndihmuar ekipin e tij Odd, i cili frikësohej se mund të binte nga liga, të shkojë drejt pozitës së dytë në elitën e futbollit norvegjez prapa FK Molde – ish-klubit të trajnerit aktual të Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solsjkaer.

Në 48 ndeshjet e tij të fundit, Rashani ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar 13 asistime.

Dhe, këto statistika e kanë “alarmuar” Fulhamin, i cili e do në gjirin e tij sulmuesin në super-formë.

Rashani, i cili e ka përfaqësuar Norvegjinë për të rinj, tash pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, mund të kushtojë afro 700 mijë euro.

Rashani ishte bërë hero i Kosovës në ndeshje me Bullgarinë, ku e kishte shënuar golin e fitores në Sofje në muajin qershor. 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara