E humbi në tavolinë ndeshjen për Champions, por s’merr fund rrugëtimi i Dritës në Evropë

08:57 | 13 Gusht 2020

Dritës nuk i ka marrë fund rrugëtimi në Evropë këtë verë, përkundër që të mërkurën mori lajmin e keq nga UEFA se e ka humbur ndeshjen kundër Linfield me rezultat 3:0 në tavolinë.

Kampionia e Kosovës, Drita, e nisi rrugëtimin në kualifikimet për Ligën e Kampionëve me fitore, pasi që arriti ta mposhtë me rezultat 2:1 klubin nga Andorra, Inter Club d’Escaldes, falë golave të shënuara nga Xhevdet Shabani dhe Hamdi Namani.

Gjilanasit synon ta vazhdonin rrugëtimin me po këtë hap të martën në orën 18:00, kundër klubit irlandez Linfield, në finalen e rundit preliminar në kualifikimet për Champions, por një gjë e tillë iu pamundësua.

Autoritetet zvicerane e anuluan ndeshjen e së martës shkaku i infektimeve me Covid-19 në skuadrën e Dritës, ndërsa të mërkurën UEFA mori vendim që skuadrës së Ardian Nuhiut t’ia shuajë ëndrrat për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, duke ia regjistruar ndeshjen si humbje me rezultat 3:0 në tavolinë.

E përkundër që Drita kishte shpresuar të shkruante historinë këtë edicion me kualifikimet për në Ligën e Kampionëve, djemtë e Nuhiut do ta kenë edhe një mundësi tjetër në Evropë, duke zënë një vend në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës.

Rundi i dytë kualifikues për Ligën e Evropës i sjell në konkurrencë gjithsej 94 skuadra, tri prej të cilave janë humbësit e rundit preliminar për kualifikim në Ligën e Kampionëve (ku bën pjesë edhe Drita), 17 humbësit e rundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, 47 fituesit e rundit të parë kualifikues për Ligën e Evropës dhe 27 skuadra të tjera evropiane që hynë direkt në këtë fazë.

Në Ligën e Evropës, Drita mund të jetë në garë bashkë me dy klubet e tjera kosovare që po garojnë në Evropë, Prishtinën dhe Gjilanin. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara