Drenica dhe Drita ndahen baras, Gjilani me fitore minimale

16:40 | 8 Tetor 2019

Kanë përfunduar dy ndeshjet e xhiros së nëntë të zhvilluara pasditen e sotme (e martë) në Ipko Superligë të Kosovës.

Drenica ka marrë vetëm një pikë në takimin e zhvilluar si nikoqir ndaj Dritës, shkruan portali arbresh.info.

Mysafirët zhbllokuan shifrat duke shënuar në minutën e 38′ të ndeshjes me anë të sulmuesit brazilian Gilberto Frotunato, por skuadra vendase arriti të barazojë shifrat në minutat e fundit të ndeshjes.

Vetëm 120 sekonda pa përfunduar koha e rregullt e takimit, mesfushori Diar Prokshi shënoi golin e barazimit duke bërë që skuadrat të ndajnë pikët.

Nga ana tjetër, Gjilani regjistroi fitore minimale 1 me 0 në shtëpi kundër Dukagjinit.

Sulmuesi 33-vjeçar Tomislav Busic shënoi minutën shtesë të pjesës së parë dhe goli i tij rezultoi vendimtar.

Pas kësaj xhiro, Gjilani dhe Drita kanë nga 18 pikë dhe ndajnë pozitën e dytë dhe të tretë, ndërsa Drenica qëndron në pozitën e tetë me nëntë pikë kurse Dukagjini në fund të tabelës me vetëm katër pikë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara