Bologna ankohet se s’iu dha penallti ndaj Juves: Sikur gjyqtari ta shikonte VAR-in

09:06 | 20 Tetor 2019

Ndihmës trajneri i Bologna, Emilio De Leo, ka thënë se gjyqtari kryesor nuk e kishte shikuar incidentin e prekjes së topit me dorë nga mbrojtësi i Juventusit, Matthijs de Ligt, në video asistentin e gjyqtarit, apo VAR.

Ai theksoi se do të kishte qenë gjest i mirë nga ana e gjyqtarit sikur ta kishte shikuar vetë rastin në xhirim të përsëritur.

De Ligt e preku topin me dorë pasi e kishte goditur fillimisht me këmbë dhe gjyqtarët e ndeshjes në dhomën e VAR-it e njoftuan gjyqtarin kryesor se ai nuk kishte nevojë ta konsultonte fare VAR-in.

Juventusi e fitoi ndeshjen 2:1 në Torino, falë golave nga Cristiano Ronaldo dhe Miralem Pjanic.

“Mua m’u duk sikur e kishte dorën e shkëputur nga trupi. Gjyqtari ka mundur ta shikonte incidentin në VAR. Do të kishte qenë reklamë e mirë për Serie A, nëse kishte treguar se klubi ynë po mbrohej në mënyrën e duhur”, tha De Leo për DAZN.

“Do ta kishim vlerësuar sikur gjyqtari ta shikonte rastin në VAR”, shtoi ai. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara