Barcelona llogarit në Suarezin

16:49 | 15 Shtator 2020

Luis Suarez flitej se mund të largohej nga “Camp Nou” për të përfunduar në Juventus. Mirëpo, mediat e huaja shkruajnë se trajneri Ronald Koeman e ka konfirmuar sulmuesin uruguaian, në të cilin llogarit për sezonin e ri

E ardhmja e Luis Suarezit duket se është qartësuar tashmë.

Sulmuesi uruguaian ishte pranë largimit nga “Camp Nou”, mbi të gjitha kur flitej për një largim të mundshëm të Lionel Messit.

Për ish-futbollistin e Liverpoolit spekulohej se mund t’i bashkohej Juventusit.

Mirëpo, mediat e huaja shkruajnë sot se trajneri Ronald Koeman e ka konfirmuar tashmë sulmuesin uruguaian.

Trajneri holandez llogarit në Suarezin për sezonin që sapo filloi dhe për këtë është i sigurt mediumi “Rac 1”.

Madje, Suarez mund të luajë nga minuta e parë në ndeshjen e nesërme ndaj Gironas, në miqësoren e dytë të katalunasve.

Suarez ishte pjesë e rëndësishme e Barçës në sezonet e fundit dhe largimi i tij prej aty është shtyrë për një vit.

Ai mund të transferohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2021. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara