Ballkani vazhdon i pamposhtur, Trepça 89′ pëson disfatën e parë

18:02 | 13 Shtator 2019

Ballkani ka vazhduar i pamposhtur edhe në xhiron e katërt duke siguruar tri pikë të plota nga ndeshja kundër Trepçës 89′.

Skuadra nën udhëheqjen e trajnerit Ismet Munishi ka siguruar tri pikë të plota në takimin e pasdites së sotme (e shtunë) duke fituar me rezultat 3 me 2, shkruan portali arbresh.info.

Nikoqirët e nisën mjaftë mirë ndeshjen duke shënuar golin e epërsisë qysh në minutën e parë të ndeshjes me anë të sulmuesit Artur Agani. Pas dhjetë minutave, për 2 me 0 realizoi mesfushori Blend Baftiu, ndërsa goli i tretë u shënua nga Arbër Hoxha (50′).

Trepça 89′ ngushtoi disavantazhin në minutën e 57′ duke realizuar për 3 me 1 me anë të sulmuesit Manaj.

Mysafirët arritën të gjejnë edhe një herë portën, por goli u anulua për shkak të pozitës jashtë lojë.

Manaj ndezi edhe më shumë ndeshjen duke shënuar golin e dytë personal për 3 me 2 në minutën e 81′, por koha e mbetur nuk i mjaftoi Trepçës 89′ për t’iu shmangur disfatës së parë sezonale.

Me dy fitore dhe dy barazime, Ballkani qëndron në krye të tabelës me tetë pikë, ndërsa Trepça 89′ në pozitën e pestë me vetëm pesë pikë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara