Andre Silva pranë nënshkrimit me Sevillën

08:30 | 10 Gusht 2018

Klubi spanjoll, Sevilla thuhet se është afër për të nënshkruar me sulmuesin e Milanit, Andre Silva.

Rossonerët janë drejt vazhdimit të rikonstruktimit të skuadrës në këtë verë, pasi pozita e gjashtë në sezonin e fundit u cilësua si dështim.

Garimi në Ligën e Evropës këtë sezon dhe ‘lufta’ për katër pozitat e para në Serie A, i ka vënë drejtuesit e Milani në punë.

Ata tashmë kanë transferuar mbrojtësin Mattia Caldara dhe Gonzalo Higuain nga Juventusi, por me afrimin e argjentinasit dikush duhet të largohet.

Edhe pse u largua Nikola Kalinic drejt Atletico Madridit, drejtuesit e klubit nga San Siro po mendojnë edhe largimin e portugezit Silva.

Sipas gazetës spanjolle AS, konfirmimi zyrtar i kalimit të Silvas te Svilla pritet të ndodh në orët e ardhshme pasi një marrëveshje ‘praktikisht’ është arritur.

Megjithatë, Calciomercato.com në Itali argumenton se Milani ka frenuar momentalisht marrëveshjen pasi ata dëshirojnë ta mbajnë portugezin.

Ky medium shpjegon se Sevilla nuk e ka ndërmend të paguajë çmimin prej 32 milionë eurosh te kuqezinjtë dhe një huazim me një opsion blerje mund të negociohet. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale