Analistët zbulojnë favoritin kryesor për titullin e Superligës së Kosovës

10:54 | 20 Korrik 2020 | Edonis Bytyqi

Kanë mbetur vetëm edhe dy xhiro të pazhvilluar në Superligën e Kosovës, derisa janë tri skuadra në garë për titullin.

Trajneri i njohur, Gani Sejdiu, drejtori sportiv i Flamurtarit, Arbnor Morina dhe ish trajneri i Drenicës, Tahir Lushtaku kanë dhënë mendimet e tyre për fituesin e Superligës për edicionin 2019/20.

Arbnor Morina, i cili në sezonin e ardhshëm do jetë në stolin e Arbërisë për arbresh.info, tha se të tri skuadrat kanë gjasa të fitojnë titullin, ngase kanë treguar angazhim të madh.

“Tri ekipe kanë mbetur, të tria i kanë gjasat edhe matematikisht për me fitu, mirëpo fituesi do vendoset në xhiron e fundit sepse ky kampionat ka shkuar në formën që ekipet pretendente kanë treguar angazhim të madh, Prishtina në momentin kyç ka bërë një hap mbrapa edhe i ka mbetur dalja në Evropë përmes Kupës”, tha fillimisht ai.

Mirëpo, sipas Morinës gjithçka do vendoset në xhiron e fundit.

“Tri skuadrat kanë gjasa të shpallen kampion, mirëpo fituesi do vendoset në xhiron e fundit”, shtoi Morina.

Ndërsa, Gani Sejdiu i cili dha dorëheqje nga Drenica gjatë këtij muaji, për arbresh.info, tha se titulli do varet nga epilogu i ndeshjes Gjilani – Ballkani.

“Favorit janë të tri ekipet sepse janë dy xhiro ku do jenë ndeshjet përcaktuese, mendoj që Drita e ka një përparësi sepse e ka takimin më të lehtë se të dy skuadrat tjera, por në rast se Ballkani e fiton takimin atëherë e ka përparësi sepse takimin e fundit e zhvillon në Suharekë, pra në terrenin e vet”, deklaroi fillimisht ai.

Sejdiu mendon se nëse Gjilani e fiton derbin ndaj Ballkanit, atëherë do ndryshojnë gjërat dhe ata do e kenë përparësinë.

“Por, në rast të fitores së Gjilanit, mendoj që Gjilani e ka përparësinë sepse e ka kundërshtarin më të lehtë se Drita në xhiron e fundit, kështu që çdo gjë varet prej epilogut të takimit Gjilani me Ballkanin”, përfundoi Sejdiu.

Kurse, trajneri Tahir Lushtaku për arbresh.info, theksoi se favoriti është Drita, ndërsa ndeshja Gjilani – Ballkani do e përcaktojë titullin.

“Mundet të jetë Drita si favorit, por nëse Gjilani fiton ndaj Ballkanit, lufta mbetet e hapur, kështu që gjasat më të mira i ka Drita pas dështimit të Ballkanit në ndeshjen ndaj Prishtinës si vendas, por si do t’i ecë Ballkanit si mysafirë ndaj Gjilanit, kjo do përcaktojë a do shpallet Drita kampion ose jo, por unë mendoj se Drita do shpallet”, fillimisht u shpreh ai.

Në fund, Lushtaku ka kërkuar që këto dy xhiro të zhvillohen në mënyrë të drejtë dhe fituesi të shpallet fal rezultateve në fushë.

“Shpresoj që dy xhirot të zhvillohen në mënyrën më të mirë, pra fair play dhe kampioni të shpallet fal suksesit dhe rezultateve në fushë”, deklaroi Lushtaku.

Drita momentalisht është lider me 65 pikë, një më shumë se Gjilani, kurse Ballkani renditët në pozitën e tretë me 63 pikë./E.Bytyqi /arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara