Afrim Tovërlani e nis me fitore, Besa mund Dritën

15:10 | 31 Mars 2015

Trajneri Afrim Tovërlani e ka nisur me fitore aventurën tek Trepça ’89.

“Minatorët” sot në “Riza Lushta”, kanë mundur Vëllaznimin, me rezultat 2-0, në kuadër të xhiros së 20-të të Raiffeisen Superliga e Kosovës në futboll.

Mitrovicasit janë treguar ekip më i mirë se gjakovarët, duke arkëtuar tri pikë të mëdha me një gol të Argjend Mustafa (6’) dhe Emin Baliqit (38’).

Pas kësaj fitore, Trepça ’89 ngjitët në pozitën e katërt më 31 pikë të tubuara, kurse Vëllaznimi mbetet në pozitën e nëntë më 20 pikë.

Ndërkohë, fitore ka shënuar edhe Besa e Pejës që në “Shahin Haxhiislami” mundi Dritën, me rezultat 1-0.

Pejanët kishin iniciative të lehtë në terren, ndërsa, golin e fitores për Besën e realizoi Kastriot Rexha në minutën e 43-të.

Skuadra e Arbnor Morinës, tani arrin në kuotën e 32 pikë, aq sa ka Hajavlia në pozitën e tretë, derisa Drita renditet në pozitën e tetë më 21 pikë.

Ndërkaq, nesër luhen edhe katër ndeshjet tjera, ku do të takohen: Ferronikeli-Ferizaj, Istogu-Hajvalia, Kosova (V)-Trepça dhe Prishtina-Drenica.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara