A e meritoi Drita titullin? Flasin Lushtaku e Thaçi

15:26 | 23 Korrik 2020 | Edonis Bytyqi

Drita dje është shpallur kampion i Kosovës për edicionin 2019-20.

Me fitoren ndaj Drenicës dhe me barazimin mes Gjilanit dhe Ballkanit, skuadra nga Gjilani edhe matematikisht e fitoi titullin.

Ish trajneri i njohur i shumë klubeve të mëdha elitare, Arsim Thaçi për arbresh.info, tha se e ka thënë edhe më herët se Drita do shpallen kampion, kurse Gjilani, Ballkani dhe Prishtina do ‘luftojnë’ për pozitën e dytë.

“Edhe më herët kam thënë se Drita bëhet kampion, kurse skuadrat e tjera, si Gjilani, Ballkani dhe Prishtina do luftojnë për pozitën e dytë”, u shpreh ai.

Mirëpo, ai nuk mendon se Drita është e gatshme për garat evropiane, ngase i duhen përforcime.

“Nuk mendoj që është e gatshme për garat evropiane, mendoj që ka mundësinë me bo përforcime edhe nëse e realizon këtë mund ta përfaqësojë Kosovën si duhet”, shtoi Thaçi.

I të njëjtit mendim nuk është trajneri Tahir Lushtaku, i cili për arbresh.info, tha se nëse do ishte kampionati normal titullin do e fitonte skuadra rivale Gjilani.

Nëse flasim për një kampionat normal ose të rregullt, atëherë Gjilani është kampion moral, ndërsa Drita nuk mund të them se nuk e ka merituar, por jemi dëshmitarë të ankesave të klubeve mes veti për këto dyshime, por nuk u merr askush, atëherë Drita është kampione, por edhe Ballkani, Gjilani, Prishtina nëse ishin shpall do e kishin merituar”, theksoi fillimisht ai.

Lushtaku mendon se nëse kampioni i Kosovës ka fat në short, atëherë edhe mund të bëjë ëndrrën realitet duke hyrë në grupe.

“Ky kampionat është stërzgjatur dhe ky do jetë problem i madh jo vetëm për Dritën por për të gjitha klubet të cilat do marrin pjesë në garat kombëtare. Unë nuk pres ndonjë mrekulli, por fati në bazë të shortit, ndoshta do arrijnë ndonjë sukses dhe të kalojë grupin e eliminimit dhe të gjithë do donim ta shohim në grupe”, deklaroi Lushtaku.

Ndërkohë, ka mbetur edhe një xhiro e pazhvilluar në Superligën e Kosovës./E.Bytyqi /arbresh.info.

Lajmet më të lexuara