200 mije euro premi për futbollistët e Feronikelit

19:06 | 19 Maj 2019

200 mijë euro premi për futbollistët, këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express numri një i Feronikelit, Naser Ramaj.

Feronikeli është shpallur kampion në Superligën e Kosovës për edicionin 2018/2019.

Skuadra e Zekirija Ramadanit arriti që sot ta mposht FC Prishtinën dhe ta fitojë titullin e tretë në histori.

Në ndeshjen që u zhvillua në Drenas, Feronikeli fitoi me golin e vetëm të shënuar nga Yll Hoxha.

Pas ndeshjes, numri një i Feronikelit, Naser Ramaj, ka konfirmuar për Gazetën Express se futbollistët do të shpërblehen për titullit e kampionit të fituar në Ipko Superligën e Kosovës.

“Premia? Premitë e lojtarëve janë të mëdha, që jepen me kontratë. Nuk i kanë të njëjta, por varësisht prej cilësisë të tyre. Shuma totale është 200 mijë euro”, tha Ramaj.

Ai është i lumtur për titullin.

“Jemi të kënaqur me titullin e kampionit. Kemi një ekip të mirë, kemi pasur një sezon bukur të vështirë. Kualiteti në Kosovë po rritet dita ditës dhe besoj që edhe në të ardhmen do të kemi një ekip të mirë”, tha Ramaj.

Ndryshime në ekip në parakualifikimet për Champions League

Presidenti i Feronikelit ka konfirmuar për Express se do të ketë ndryshime në skuadër për parakualifikimet në Champions League.

“Ao do të ketë ndryshime? “Do të ketë ndryshime te ekipa, por jo shumë. Duhet t’i bëjmë ca ndryshime për kualifikime, por bazën e kemi tashmë. Por, mendoj se do të jemi një super ekip dhe do të shkojmë deri aty ku mundemi”, shtoi ai.

Pas titullit në Ipko Superligë, Feronikeli e kërkon Kupën e Kosovës

Pas triumfit në Ipko Superligë, Feronikeli tani do të kërkojë të fitojë Kupën e Kosovës për sezonin 2018/19.

Numri një i Feronikelit, Naser Ramaj, beson se kanë ekip për ta rrëmbyer edhe këtë trofe.

“Kupa? Nuk mund të premtoj, megjithëse unë thash se favori është në anën tonë, kemi një ekip të mirë për ta fituar edhe kupën”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Ramaj foli edhe për investimet e shumta që ka bërë në futboll, duke inkurajuar të tjerët që të veprojnë njëjtë. “A ia kanë vlejt investimet? Gjithsesi, gjithsesi.

“Edhe të tjerët mundohem t’i bind të investojnë sepse nëse e bëjmë punën tonë, do të kemi rezultate”. /Gazeta Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara