Zgjedhjet në LSI/ Caka: Pjesëmarrja 80.7%, mesazh kombëtar për 25 prillin

23:46 | 21 Nëntor 2020

Pas përfundimit të procesit të zgjedhjeve brenda LSI, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë parti, Silva Caka, tha se pjesëmarrja ka qenë mbi 80%.

Në një deklaratë për shtyp, Caka u shpreh se në zgjedhjet për delegatët e Konventës Kombëtare dhe Kryetarin e LSI, morën pjesë 44.413 anëtarë ose 80.7% e anëtarësisë faktike të regjistrit të anëtarësisë së Partisë.

28.285 anëtarë të LSI votuan fizikisht dhe mbi 16.128 anëtarë votuan online.

Ish-deputetja Caka e konsideroi pjesëmarrjen e lartë një mesazh kombëtar për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 25 prillit.

“Dita e sotme dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme është qartësisht demostrim i një vitaliteti politik dhe një dëshire të madhe të anëtarësisë për të qenë pjesëmarrës në vendimmarrje.

Asgjë nuk mund të ndalë qytetarët të shprehin masivisht vullnetin edhe në 25 prill, kundër autokracisë që kërkon të mbysë demokracinë.

Pandemia dhe varfëria nuk munden dhe nuk do të ndalojnë demokracinë. Pa aktivizëm, pa organizim, pa “popull” nuk ekziston demokracia, ku në themel qendron qytetari. Prandaj ky votim masiv i LSI është një mesazh kombëtar dhe një thirrje kumbuese për pjesëëmarrje masive në zgjedhje, aktivizëm, ngritje zëri.

LSI u tregoi sot të gjithë shqiptarëve se është shembulli i partisë së solidaritetit social veçanërisht në këto kushte kur shqiptarët kanë nevojë për ndjeshmëri, për solidaritet dhe politikë me zemër.”, deklaroi ajo./opinion.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara