Voltana Ademi i bashkohet protestës: Nuk lejojmë kriminelin Rama të uzurpojë qytetin

19:50 | 20 Qershor 2019

Kryebashkiakja Voltana Ademi ka zbritur në shesh për t’ju bashkuar protestës së opozitës që kundërshton praninë e kryeministrit Edi Rama në Shkodër. Ademi nuk firmosi lejen për organizimin e takimit elektoral të Ramës duke theksuar se 30 qershori është shfuqizuar si datë për zgjedhjet lokale, por PS vendosi të vijojë me planin e saj.

Ademi u shpreh pak minuta më parë se shkodranët nuk do të lejojë uzurpimin e qytetit nga një kriminel si Edi Rama.

“Nuk mund të lejojmë që një bandë kriminale të uzurpojë qytetin. Shkodra ka demonstrua të gjithë jetën e vetë që nuk mund të lejojë uzurpatorin dhe kriminelin e Edi Rama dhe të tjerë përpara tij. E drejta jonë për të protestuar dhe për të thirrur ‘Rama ik’, është e drejta jonë legjitime”, u shpreh kryebashkiakja demokrate.

Ajo deklaroi gjithashtu se “nuk ka asnjë arsye që Policia e Shtetit të gjuajë mbi njerëzit, qoftë me gaz, qoftë me helme.”

Menjëherë sapo Voltana Ademi është afruar pranë kordonit të policisë, ndaj saj u hodh gaz lotsjellës. PD e konsideroi veprimin e policisë ndaj kryebashkiakes si një akt të paprecedent.

Mbështetësit e opozitës vijojnë të qëndrojnë pranë sheshit ku do të mbahet mitingu elektoral i Partisë Socialiste. “Rama ik” është thirrja më e shpeshtë që dëgjohet nga protestuesit. Për momentin janë duke u hedhur gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve, por nuk ka përplasje fizike./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara