Vendoset lëndë shpërthyese në banesën e gazetarit Elidon Ndreka

12:25 | 30 Tetor 2020

Një sasi lënde shpërthyese është vendosur rreth orës 01;00 të mëngjesin të së premtes në portën e jashtme të banesës së gazetarit Elidon Ndreka në fshatin Balldre të Lezhës.

Nga shpërthimi nuk ka patur të lëduar, por vetëm dëme materiale. Në momentin e shpërthimit, gazetari Ndreka gjendej në banesë bashkë me prindërit, gruan dhe dy fëmijët e tij.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes duke konfirmuar se “në pjesën e jashtme të hyrjes së banesës së shtetasit E.N, ka shpërthyer një sasi e vogël, dyshohet lëndë plasëse, ku si pasojë ka vetëm dëme të vogla materiale”, por pa dhënë detaje të mëtejshme rreth ngjarjes.

Gazetari Elidon Ndreka prej dy vitesh mbulon Qarkun e Lezhës për TV News 24, por ai ka një përvojë 15 vjeçare në fushën e gazetarisë televizive.

I pyetur nga “Zëri i Amerikës”, gazetari Ndreka tha se nuk ka dijeni rreth autorit apo autorëve të shpërthimit, por ka dyshime se vendosja e lëndës shpërthyese në portën e banesës së tij lidhet me profesionin si gazetar.

Policia vendore ende nuk ka dhënë detaje në lidhje me këtë ngjarjes dhe pistat e hetimit.

Në Shqipëri, rreth dy vite më parë u sulmua me bresheri kallashnikovi banesa e prindërve të gazetares se kronikës, Klodiana Lala, ndërsa kërcënimet verbale ndaj gazetarëve janë të shpeshta.

Lajmet më të lexuara