Shqipëria do ta miratojë me ligj heqjen e roamingut me Kosovën

15:12 | 6 Dhjetorë 2018

Shqipëria do ta miratojë me ligj heqjen e Roamingut të telefonisë celulare me Kosovën. Propozimi i deputetit Eduart Shalsi u miratua nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, e tashmë do të jetë seanca plenare që do të japë miratimin përfundimtar.

“Pikërisht në datën 30 maj, Kuvendi ka miratuar një rezolutë për heqjen e Roamingut. Është rezolutë në fakt, ndërkohë që ne gjykuam që të kalojmë me një propozim konkret dhe ta miratojmë në Parlament heqjen e Roamingut”, tha Shalsi.

Ky ndryshin ligjor mundëson që roaming të hiqet edhe me vendet e tjera. Ai krijon hapësirën e duhur për AKEP-in, për rregullimin e tarifave të roamingut ndërkombëtar.

Në këtë mënyrë, qytetarët shqiptarë nuk do të paguajnë tarifa shtesë për përdorimin e celularit në Kosovë dhe e njëjta gjë do të ndodhë edhe me qytetarët e Kosovës kur vijnë në Shqipëri. Kjo përfshin edhe tarifat e shërbimeve të lidhura me roamingun ndërkombëtar, raporton Tch.

Sipas të dhënave të AKEP-it, Kosova është vendi me të cilin shkëmbehet më shumë trafik në roaming ndërkombëtar, në vendet e rajonit, ndaj dhe heqja e tarifave me marrëveshje dypalëshe Shqipëri-Kosovë do të sillte përfitime të mëdha për qytetarët e të dyja vendeve.

Shpërndaje në rrjete sociale