Shqipëri, humbjet e energjisë elektrike në rritje

16:19 | 22 Maj 2020

“I gjithë investimi që OSHEE ka bërë deri më sot ndikon ndjeshëm jo vetëm në uljen e humbjeve në rrjet. Janë investime që ndikojnë direkt në performancën e OSHEE dhe të gjithë sektorit energjetike”.

Kështu ka deklaruar Ministrja Balluku një vit më parë duke trumbetuar financimin e madh. Por shifrat tregojnë të kundërtën.

Sipas INSTAT humbjet e energjisë elektrike në rrjetin e transmetimit rezultojnë me tendencë në rritje.

Përgjatë tremujorit të parë të këtij viti është shënuar një rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Nëse në vend të premtimeve do të ishte bërë punë dhe do të monitoronte konkretisht situatën, ndoshta kjo humbje do pasohej me një shpenzim më të vogël.

Megjithatë përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët në tremujorin e parë të këtij viti është ulur me 1.5%. Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga konsumi i bizneseve të cilat pas përhapjes së pandemisë pezulluan aktivitetin, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe konsumi familjar është rritur duke qenë se njerëzit kanë qëndruar më gjatë në shtëpitë e tyre.

Sipas të dhënave të publikuara nga vetë OSHEE të ardhurat pësuan një rritje minimale prej 2% gjatë vitit të kaluar ndërsa shpenzimet u rritën me 20%, duke sjellë një rezultat final prej mbi 7.7 miliardë lekë humbje ose afërsisht 64 milionë euro./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara