Shpërthen Elisa Spiropali pas protestës: Lanë kokrrën e namit

19:08 | 14 Prill 2019

Ministrja për Marrëdhënien me Parlamentin dhe njëherësh zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër pas protestës së opozitës një ditë më parë.

Në një video të bërë publike në Facebook, ajo është shprehur se nga kjo protestë nuk u mësua asgjë përveç se ajo që dihej, se kush tenton t’i vërë zjarrin këtij vendi, arrin vetëm të digjet vetë.

“Protesta nokturn e opozitës nuk na mësoi kurrgjë, përveçse na përsëriti atë që dinim qysh prej ditës së parë…  kush tenton t’i vërë zjarrin këtij vendi, arrin vetëm të digjet vetë.

Dje u dogj edhe keq shpresa e të paktëve që ende besonin se Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, luftojnë trimërisht për interesat e popullit dhe jo për pushtetin e tyre të humbur.

Pas asnjë ide tjetër përveç shkatërrimit, pa asnjë qëllim tjetër përveç shantazhimit të shumicës me ura zjarri në gju dhe në duar, këta udhëheqës të diskretituar me një çetë punonjësish të bashkive të djathta dhe me një grusht të rinjsh të verbuar nga propaganda e tyre, e sherrit dhe e dhunës, lanë kokrrën e namin në atë që trumbetuan si ditën e ikjes së Edi Ramës dhe të qeverisë”, shprehet ajo.

“Mësynë bulevardin, kryeministrinë dhe parlamentin e Shqipërisë, si një trup pa kokë dhe pa sy lëshuan piskamat e ngjirura nga fyti i liderit që lider kurrë nuk bëhet, dhe e mbyllën me turp, duke dhunuar policinë dhe duke i vënë zjarrin pronës publike dhe private.

Për disa orë resht, forcat e policisë u sulmuan me kapsolla, zjarr dhe benzinë, dhe u plagosën pabesisht nga këta të çoroditur që venë e vinin te Ura e Tabakëve, në kërkim të sherrit, konfliktit, rrëmujës e hatasë, që kanë në kokat e tyre boshe.

Shërim të shpejt efektivëve që u ra taksirati i përballje me këta udhëhumbur në theqafjen e tyre politike e morale”, ka shtuar më tej.

“Respekt për vetëpërmbajtjen dhe profesionalizmin e policisë së shtetit që bëri dhe bën diferencën mes shtetit dhe antishtetit, qytetarisë e barbarisë, dinjitetit e pabesisë.

Por ashtu si çdo dramë ka një nënshtresë humori për ta bërë të durueshme, edhe post protestës së orëve të vona nuk mund t’i mungonin qyfyrexhinjtë, ca prapashtojca politike dhe mediatike, të asaj që nisi si protestë dhe përfundoi si vandalizëm, u lëshuan gojështhurur e mendjehumbur për të komentuar si normalitet demokratik atë që është një dështim politik, moral po edhe thjeshtë logjike e një opozite që s’ka asgjë përveç ankthit të të mbyturit që kërkon të të mbysë.

Mbështetje e plotë për policinë e shtetit dhe organet e drejtësisë që duhet t’u tregojnë vendin nxitësve dhe ekzekutuesve të dhunës.

Një thirrje për çdo njeri normal, ndër ata që kanë të gjithë të drejtat e botës të mos të kenë votuar, as të mos e duan këtë qeveri, por duhet ta kuptojnë se alternativa e dhunës dhe rrëmujës, dëmton vetë ata, njeriun normal, dëmton ekonominë e tij, dëmton perspektivën e familjes së tij, të fëmijëve të tij, Shqipëri që ka më shumë nevojë për ide dhe projekte, jo për piskama e kapsolla.

Vetëm një humbës pa fantazi si Lulzim Basha mund të mendojë se do të rikthehet në qeverinë e çadrës së diellit duke shumëzuar çadrat e shiut.

Sidoqoftë, një gjë të mos e harrojë askush… me  kapsolla e më zjarre nuk merret pushteti, por vetëm damka e të paaftit për të parë, dëgjuar dhe menduar.

Nga ana tjetër, me këta, pa këta, hyjnë në zgjedhje, s’hyjnë në zgjedhje, ne do të vazhdojmë para dhe do të fitojmë përsëri, jo për vete, por për Shqipërinë që duam”, përfundon Spiropali.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara