Rama: Rritja ekonomike 5 përqind

08:38 | 30 Maj 2017

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama premtoi përpara grave dhe vajzave të Dibrës rritje të ekonomisë deri në 5% gjatë mandatit të dytë qeverisës.

“Ekonomia këtu, investimet dhe punësimi mund të rriten si asnjëherë. Ne jemi rritur me 3.5%. Duhet më shumë. Dhe që ne të bëjmë një ekonomi që rritet me impakt më të madh, duhet të kalojmë 5%. Ju siguroj që do ta kalojmë 5% në mandatin e ardhshëm, siç luftuam për Vettingun, do bëjmë edhe me ekonominë dhe punësimin”, u shpreh Kryeministri.

Rama ka kërkuar votën më 25 qershor për të vijuar në rrugën e reformave.

“Në qoftë se ne, PS, nuk kemi timonin e reformave për të vazhduar drejt dhe ta kemi vetë pa të tjerë në prehër, gjërat mund të shkojnë mbrapsht. Këtë e di edhe Saliu, PS është e vetmja forcë që bën shtet, ata nuk bëjnë dot shtet. Fjalime e llafe të bukura, plane sa të duash, por shtet jo. Shembulli më kuptimplotë është reforma në drejtësi, që 27 vjet thoshin do e bëjmë dhe bënin arna. Edhe gjykatat ishin, vazhdojnë akoma sa të fillojë Vettingu, pazar. Shko blej domate, sa më e madhe aq më mirë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë nuk ngurroi as të ironizojë rivalin politik për premtimet e bëra.

“Ishte 4 vjet kryetar bashkie, 4 metra me ngrit kokën me pa sahatin, e ai nuk punoi. Domethënë se ai ka sahatin e vet, orën e vet. Dhe një kryetar që nuk rregullon sahatin, imagjino ta bësh kryeministër që të të rregullojë gjërat”, u shpreh Rama.

Më herët, kryeministri inspektoi punimet e unazës së Klosit, një investim 120 milionë lekë i qeverisë, pjesë e “Rilindjes Urbane”, shkruan TCH,

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara