PD shton presionin mbi Krajën dhe Dumanin: Të vlerësojnë mundësinë për t’u tërhequr nga SPAK

14:37 | 27 Dhjetor 2019

Partia Demokratike ka shtuar sot presionin mbi Arben Krajën, kryeprokuror i SPAK, dhe mbi Altin Dumanin, anëtar i këtij institucioni, duke kërkuar prej tyre që të vlerësojnë mundësinë e dorëheqjes.

Sipas PD-së, ky vendim duhet të ndërmerret nga të gjithë anëtarë të SPAK, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshmëria.

Demokratët kërkojnë nga Kraja të sqarojë nëse ka qenë hetues i gjyqeve politike të komunizmit, si dhe nga Dumani nëse është personi në krah të Ulsi Manjës, deputet i PS, në foton e publikuar në media.

Reagimi i plotë i PD

Partia Demokratike dënon përpjekjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të mashtruar qytetarët dhe për të devijuar arsyen e vërtetë të shqetësimit të opinionit publik mbi të kaluarën si hetues politik i diktaturës për Drejtuesin e SPAK dhe për takimin e pajistiifikuar të një anëtari të SPAK-ut me Ulsi Manjën e PS.

Reagime të tilla të dënueshme janë të pritshme nga një organ si KLP, që është nën drejtimin e militantit të PS, Gent Ibrahimi, dhe me shumicën e anëtarëve të kontrolluar nga pushteti dhe të zgjedhur në mënyrë të paligjshme.

Prokurorët e SPAK kanë kaluar të njëjtin proces të vetingut, siç kanë kaluar me dhjetëra prokurorë e gjyqtarë të tjerë. Në thelb, kjo është një përpjekje e KLP-së për të mashtruar qytetarët me teknikalitete të panjohura për ta, në një kohë kur sondazhet tregojnë rënie të besimit të opinionit publik tek vetingu.

KLP kishte detyrimin të informonte opinionin publik, nëse Arben Kraja, Drejtues i SPAK, ka qenë apo jo hetues i regjimit gjakatar komunist përpara viteve 1990 në gjyqe politike.

KLP duhet të mbante qendrim, nëse për të është e pranueshme që në vitin 2020 drejtësia e re të bëhet me hetues të regjimit komunist. Kjo është njësoj sikur drejtësinë në Gjermani ta jepte një prokuror që i shërbeu Hitlerit deri në momentet e fundit para dorëzimit të Berlinit.

KLP ka detyrimin të infomrojë opinionin publik, nëse Altin Dumani, prokuror i SPAK, është apo jo personi në foto, i raportuar nga media që një ditë përpara se KLP e partisë të votonte Drejtuesin e SPAK, kërkonte mbështetjen e përfaqësuesit të Partisë Socialiste Ulsi Manja. Drejtësia nuk mund të bëhet me sherbëtorë të rinj të partisë së vjetër në pushtet.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet t’i shpjegojë opinionit publik se përse alternativa e tij e vetme është të ofrojë vetëm drejtësinë që i duhet PS.

Shqipëria ka kapacitete për të ofruar një drejtësi normale, pa lidhje me politikën, pa lidhje me komunizimin, pa lidhje me Qeverinë. Shqipëria ka juristë, prokurorë e gjyqtarë të kualifikuar dhe me integritet, që mund t’i shërbëjnë vendit në organet e reja të sistemit të drejtësisë. Problemi është se këtë drejtësi nuk e do Edi Rama.

Edi Rama nuk ka ndërmend të lejojë ndërtimin e një drejtësie më të mirë për shqiptarët, por një drejtësi që i shërben atij, ministrave të tij të korruptuar dhe krimit të organizuar me të cilin bashkëqeveris.

Partia Demokratike kërkon që, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe eleminimit të çdo dyshimi për integritetin e SPAK, prokurorët, për të cilët publikisht është vënë në dyshim integriteti, pavarësia dhe paanshëria, duhet menjëherë të sqarojnë pozicionin e tyre dhe vlerësojnë seriozisht mundësinë për të hequr dorë nga përbërja e SPAK.

Mbi interesin personal dhe politik, në këtë moment, duhet të prevalojë, nevoja për të ruajtur të paprekur imazhin, integritetin dhe besimin tek SPAK./TCH

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara