Pasuria i rrezikon ngeljen kreut të Kushtetueses në testin e Vettingut

11:07 | 8 Qershor 2018

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka gjetur disa shkelje në deklaratat e pasurisë për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Në raportin e lexuar këtë të premte, trupa gjyqësore e KPK-së citon fillimisht një apartament në Golem. KPK thotë se Dedja ka ndryshuar deklarimin për këtë apartamenti. Fillimisht gjyqtari e ka deklaruar si pronë të vetën dhe më vonë se e ka blerë me vëllain që jeton në Dibër. Apartamenti rezulton në emër të vëllait, ndërsa kontrata e energjisë elektrike, thotë KPK, është e lidhur në emër të tij.

KPK sheh si të dyshimtë edhe një apartament të blerë në vitin 1997 në Tiranë nga gjyqtari, duke deklaruar se në atë kohë ai nuk i kishte mundësitë me të ardhurat e deklaruara që ta blinte këtë pronë.

Së treti, KPK gjen shkelje edhe tek një deklaratë borxhi prej 25 mijë eurosh. KPK thotë se gjyqtari ka deklaruar fillimisht që shumën ja ka marrë borxh kunatit dhe më pas babait të kunatit, në dy deklarata të ndryshme noteriale. I dyshimtë për KPK është edhe burimi i një borxh prej 15 mijë eurosh, që ai deklaron se ja ka marrë vëllait.

“Në kohën që është firmosur deklarata e borxhit, kunati i gjyqtarit Bashkim Dedja ka qenë jashtë Shqipërisë”, thotë KPK.

Gjyqtari kushtetues ka deklaruar gjithashtu si pasuri të tij një apartament në rrugën “Sami Frashëri” me vlerën e 180 mijë eurove dhe një kredi prej 120 mijë eurosh me afat shlyerje 20 vjet.

Vetë Dedja nuk është i pranishëm në seancën dëgjimore publike, duke u përfaqësuar nga avokati i tij Maks Haxhia. Avokati citoi raportet e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, që nuk gjen shkelje në deklaratat e gjyqtarit ndër vite, si dhe punën në të zezë të vëllezërve të gjyqtarit në emigracion.

“Vëllezërit e Bashkimit kanë punuar në të zezë prej vitesh në Greqi dhe vende të tjera dhe të ardhurat e tyre nuk janë deklaruar”, tha ai.

Trupa gjykuese përbëhet nga Valbona Sanxhaktari dhe anëtar Roland Ilia dhe Xhensila Pine. Sipas këtij raporti, gjasat janë që Bashkim Dedja t’i bashkohet listës së gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk e kalojnë testin, vendimi do të jepet më 13 qershor.

Në pritje të caktimit të datës për seancën dëgjimore është dhe anëtari tjetër i Gjykatës Kushtetuese, Gani Dizdari.

Deri tani nga Gjykata Kushtetuese janë rrëzuar tre gjyqtarë, Fatos Lulo, Altina Xhoxhaj dhe Fatmir Hoxha, teksa Besnik Imeraj ka dhënë dorëheqjen dhe në pritje tashmë janë Dedja dhe Dizdari. E vetmja që ka kaluar me sukses vetingun është Vitore Tusha./Top Channel

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara