Nuk e arrestuan, por pse po hetohen policët që ruanin Xhafer Matën?

10:09 | 13 Qershorë 2018

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka nisur një hetim, 4 ditë pas vrasjes së maturantes Xhuljeta në zonën e “Don Boskos”, që konsiston në veprimet dhe mosveprimet e punonjësve të Policisë.

Burimet thanë dje se SHÇBA ka kërkuar dokumentacionin e nevojshëm në Komisariatin nr.3, në lidhje me denoncimin për përndjekje që ka bërë një muaj para vrasjes 19- vjeçarja Çuni.

Gjithashtu, janë pyetur punonjësit e Policisë që janë marrë me rastin, si dhe po verifikohet praktika e ndjekur prej tyre edhe për vendimin për të proceduar në gjendje të lirë Xhafer Matën. Për veprën penale të “përndjekjes”, në rastet e mëparshme, i dyshuari është ndaluar ose arrestuar në flagrancë, shkruan Panorama.

Ndërsa në rastin konkret, Policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Tiranës duke nisur procedim në gjendje të lirë. Nga ana tjetër, nuk rezulton e provuar që 31- vjeçari Mata të jetë thirrur, shoqëruar apo të jetë mbajtur nën vëzhgim nga Policia, përgjatë harkut kohor prej një muaji, që nga momenti kur ishte denoncuar për përndjekje e derisa kreu vrasjen e maturantes e më pas u vetëvra.

Burime nga Policia e Shtetit thanë se prej dy ditësh Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedim disiplinor për drejtuesit e Komisariatit nr.3, derisa të sqarohen të gjitha veprimet.

VRASJA E PARALAJMERUAR

Vrasja e maturantes Xhuljeta Çuni, mëngjesin e së premtes në Tiranë, ishte krimi i radhës i paralajmëruar nga vetë ajo një muaj më parë. Megjithatë, edhe pse i ishte drejtuar Policisë duke denoncuar përndjekjen dhe dhunën psikologjike që ushtronte Xhafer Mata, për 19-vjeçaren nuk mund të lëshohej urdhër mbrojtjeje.

Duke qenë se ajo nuk ishte në një marrëdhënie familjare apo bashkëjetuese e autorit, ligji nuk parashikon lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Por, megjithatë, parashikon që në rastet kur përndjekja është e përsëritur dhe i shkakton ankth e frikë së dëmtuarës, autori duhet të arrestohet.

Në rastin e 19-vjeçares Xhuljeta Çuni, nuk kishte ndodhur kështu. Policia, një muaj më parë, ka proceduar në gjendje të lirë autorin, Xhafer Mata, duke referuar materialet në Prokurori.

Por siç ndodh rëndom, çështja ishte mbyllur aty, pa asnjë veprim të mëtejshëm. Burime nga Policia thanë se në kushtet kur autori i vrasjes ka kryer edhe vetëvrasje, dosja shkon drejt mbylljes.

Megjithatë, për zbardhjen e plotë të rrethanave e motiveve të ngjarjes, priten dëshmitë e familjarëve të vajzës dhe djalit, të cilët ende nuk janë pyetur nga Policia.

Vrasja e Xhuljeta Çunit mund të parandalohej për sa kohë Prokuroria kishte nisur hetimet për Xhafer Matën me akuzën e përndjekjes, kallëzim i dorëzuar prej saj më 7 maj të këtij viti. Por 19-vjeçarja nuk mund të përfitonte urdhër mbrojtjeje sipas ligjit, sepse ajo nuk ishte pjesë e familjes së tij dhe as bashkëjetuese.

Sipas statistikave të Policisë dhe të Gjykatave, rezulton se nga 1 janari 2018 deri më 31 maj 2018 kanë përfituar urdhër mbrojtjeje 1275 gra e vajza. Ndërkohë që rezulton se janë nën hetim mbi 490 meshkuj dhe janë arrestuar 270 prej tyre. /albeu.com

Shpërndaje në rrjete sociale