Nis rehabilitimi i rrugës Tiranë-Plepa

22:57 | 9 Tetor 2019

Rehabilitimi i aksit rrugor, Tiranë-Ndroq-Plepa si dhe pajisja e saj me sinjalistikën e nevojshme do ta bëjë atë së shpejti, më lehtë të aksesueshëm për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Teksa inspektoi nga afër punimet, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se kjo është një zonë ku turizmi ka marrë një vëmendje të shtuar pasi ushtrojnë aktivitetin e tyre një sërë biznesesh kryesisht në agrikulturë.

“Aksi Tiranë – Ndroq – Plepa është një aks i rëndësishëm për zhvillimin e agrikulturës në këtë zonë. Zona e Ndroqit ka qenë një nga nismëtaret e zhvillimit të bujtinave, të agrikulturës, të prodhimeve bio, kështu që kjo është një rrugë që qytetarët, qoftë të Tiranës dhe Durrësit, apo dhe qytetarë të tjerë nga të gjitha vendet e Shqipërisë, e përdorin edhe për këtë lloj turizmi ndaj është shumë e rëndësishme”.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, bëri të ditur se ndërhyrja në këtë segment po bëhet i mundur në saj të fondit të mirëmbajtjes të akorduar nga Banka Botërore.

“Rruga Tiranë-Ndroq-Plepa ka nisur si rezultat i përkeqësimit të tepërt të kësaj rruge. U munduam që nga mirëmbajtja rutinore nga Drejtoria Rajonale ta kalonim në mirëmbajtjen e Bankës Botërore me performancë. Është akorduar një fond 900 mijë euro, ku nga ato 500 mijë euro janë ndërhyrje të thella në zonat ku gjeologjia dhe asfalti ka qenë i dobët”.

Punimet në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa përfshijnë riparimin e dëmtimeve të shtresave asfaltike, vendosjen e sinjalistikës si dhe instalimin e barrierave metalike në disa zona të rrezikshme./tvklan

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara