Në Shqipëri sot hapen çerdhet e kopshtet, kufijtë tokësorë dhe plazhet

08:17 | 1 Qershor 2020

Kjo javë do të shënojë një fazë të re të hapjes së vendit. Prej kësaj të hëne, 1 qershor 2020, do të hapen kopshtet dhe çerdhet duke zbatuar protokollet e sigurisë së miratuar.

Po kështu do të hapen kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin dy javor, si një masë e që po ndiqet edhe në vendet evropiane dhe vendet e rajonit.

Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet në fuqi, për raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC.

Nga kjo e hënë do të lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, pa kufizim.

Nuk do të ketë më ndalim-kalimit të kufirit përtej çdo zone të kuqe.

Nga sot edhe plazhet do të jenë të hapura, nën masa të sigurisë, sipas një plani i cili përfshin gjithë vijën bregdetare, si një zonë e sigurt.

Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur për këtë periudhë dhe që do të administrojë lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe.

Nga sot do të lejohen edhe kampionatet sportive, pa praninë e publikut.

Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Sa i përket transportit urban, ende nuk është marrë një vendim nga qeveria. /OraNews/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara