Në Shqipëri nga 1 qershori nuk ka kufizime, përveç transportit publik

22:56 | 29 Maj 2020

Një qershori do të jetë hapja më e madhe pas nisjes së Pandemisë së Covid 19. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu tha se do të lejohet lëvizja në të gjithë territorin e vendit, do të hapen një sërë aktivitetesh e po ashtu edhe kufijtë tokësorë, pa rregullin e vetëkarantimit.

Manastirliu: “Lejohet lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në të gjithë territorin, pa kufizim. Do të hapen çerdhet dhe kopshtet, duke zbatuar protokollet e sigurisë së miratuar. Do të hapen kufijtë tokësorë, duke hequr karantinimin dy javor, si një masë e që po ndiqet edhe në vendet Europiane dhe vendet e rajonit. Masa e vendosjes së karantinës dy/javore do të mbetet në fuqi, për raste të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore sipas kritereve të përcaktuara nga ECDC”

Në 1 qershor do të hapen edhe plazhet, nën masa sigurie, që përfshin të gjithë vijën bregdetare si një zonë të sigurt.

Manastirliu: Plazhet sipas zonave të miratuara do jenë të përcaktuara me autorizime të posaçme nga një autoritet i përkohshëm që është ngritur për këtë periudhën dhe që do të administrojë lejet për çdo stacion plazhi nëpërmjet një aplikimi online dhe një protokolli të veçantë për të siguruar ruajtjen e distancave dhe kushtet higjeno-sanitare në plazhe. Ndaj ftojmë të interesuarit të zbatojnë procedurat që do të bëhen publike nga MTM, duke informuar se çdo kush që shkel rregullat për arsye përfitimi në plazh do të penalizohet”

Po ashtu prej 1 qershorit do të lejohen kampionatet sportive, pa praninë e publikut. Do të hapen parqet, qendrat e formimit arsimor, kulturor, qendrat e internetit si dhe palestrat sipas protokolleve të sigurisë.

Ndërsa, deri në datën 23 qershor, do të vijojnë të jenë të mbyllura, aktivitetet kulturore, kinematë, teatrot, klubet e natës, pishinat, grumbullimet masive, dasmat, konferencat dhe dëgjesa publike. I mbyllur do të vijojë të qëndrojë edhe transporti publik, për të cilin ministria e Transporteve së shpejti do të publikojë një protokoll të veçantë.

Kufizimet e lëvizjes dhe aktiviteteve të biznese do të hiqen që këtë fundjavë, por me kusht që nuk do të lejohet dalja nga zonat e kuqe deri në 1 qershor./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara