Merr flakë kabina elektrike në Fushë Krujë, banorët mbeten pa energji

09:39 | 12 Shtator 2019

Një kabinë 40-vjeçarare elektrike, e ndërtuar me tullë, në lagjen Kastriot të Fushë Krujës, pranë stadiumit të qytetit, është përfshirë nga flakët mbrëmjen e së mërkurës.

Me të marrë njoftim mbi situatën ka ndërhyrë shërbimi zjarrfikës për shuarjen e zjarrit në kohë, ndërkohë është stakuar energjia elektrike për të shmangur pasoja më të rënda në rrjet.

Kabina elektrike ku ka rënë zjarri është një kabinë e vjetër elektrike e sistemit 6 kilovoltësh e cila duket se nuk e ka përballuar ngarkesën. Burime nga OSHEE bëjnë të ditur se aktualisht 200 abonentë janë pa energji elektrike, ndërkohë që brigadat e punës kanë zbritur në terren.

Brenda mesditës së nesërme pritet të zëvendësohet kabina e vjetër e dalë tashmë jashtë funksionit me një kabinë të re elektrike që do të mundet të përballojë dhe ngarkesën e rrjetit. OSHEE bën të ditur se kishte planifikuar të investonte në këtë kabinë dhe më parë, por incidenti i fundit e përshpejtoi ndërhyrjen që do të mundësojë cilësi më të mirë të furnizimit me energji për banorët e zonës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara