Lleshaj premton: Do hapim dosjet e vjetra

16:04 | 13 Shtator 2019

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka premtuar se dosjet e policëve të vrarë në krye të detyrës do të rihapen dhe fajtorët do të përgjigjen përpara drejtësisë së re. Gjatë vizitës që zhvilloi në familjen e efektivit Kolë Ndreshaj, gjithashtu i vrarë, Lleshaj theksoi se: “Për fat të keq ka shumë raste krimesh të rënda, që nuk janë zbardhur ende. Flenë nëpër sirtarët e drejtësisë tonë me dhjetëra e dhjetëra dosje, të cilat nuk mund të harrohen kurrë dhe ne nuk mund t’i harrojmë dhe s’do t’i harrojmë kurrë.”

Lleshaj kërkoi edhe një rol më të madh të Policisë së Shtetit në identifikimin e autorëve të vrasjeve të kolegëve të tyre.

“Kemi besim të plotë që me reformën e madhe që po bëhet në drejtësinë shqiptare, me krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, edhe hapja e dosjeve të vjetra, të cilat kurrë nuk do të bëhen të vjetra, do të jetë prioritet i punës së organeve të policisë. Policia e Shtetit sigurisht që ka për të luajtur rolin e saj në mënyrë që të gjitha dosjet e vjetra, por sidomos dosjet e policëve të vrarë në detyrë, për të cilët ende nuk është bërë zbardhja e tyre, të gjejnë përgjigjen dhe ata që kanë llogari për të dhënë, të japin llogari para drejtësisë”, tha ministri.

Ministri Lleshaj prezantoi sot edhe krijimin e Fondacionit “Gjurmë”, i cili përbëhet nga fëmijët e policëve të rënë në detyrë, të cilët do të ndjekin problemet që ka secili prej tyre, me qëllim për t’i gjendur pranë atyre që kanë më shumë nevojë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara