Kush është i mërzitur me qeverinë, nuk del në rrugë, por shkon në aeroport

10:57 | 11 Tetorë 2018

Para pak kohësh, kryetari i Bordit i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Majkëll Granoff, tha se drama e madhe e Shqipërisë është emigracioni.

“Në disa mënyra mund të thuhet se situata në Shqipëri është e rëndë për shkak të emigracionit. Pra janë shumë shqiptarë të zgjuar dhe të aftë, të cilët kanë humbur shpresën tek mundësitë e këtushme dhe ata po “votojnë me këmbë”. Ata po votojnë për ta lënë vendin. Kjo nuk është një rrugë e qëndrueshme për Shqipërinë për t’u zhvilluar në të ardhmen,” u shpreh ai për Zërin e Amerikës.

Këto ditë, mediat gjermane kanë publikuar reportazhe nga Shqipëria, duke theksuar po ashtu pakënaqësinë e shqiptarëve, të cilët kanë vërshuar me mijëra për t’u larguar.

Një gazetë shkruante se të gjithë po plotësojnë lotarinë amerikane për t’u larguar.

Kurse Hannovershe Allgemeine thotë se pakënaqësia është në rritje. “Shpesh dëgjon të thuhet se kush është i mërzitur me qeverinë, nuk del në rrugë, por shkon në aeroport”, shkruan gazeta.

Studiuesja Jonila Godole thotë për gazetën se “shumica e emigrantëve vijnë nga klasa e mesme- ata nuk largohen sepse janë të varfër, por sepse nuk kanë besim tek shteti dhe shoqëria”.

Shpërndaje në rrjete sociale