KED refuzon kërkesën e Ardian Dvoranit për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit

22:50 | 16 Shtator 2020

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka refuzuar kërkesën e Ardian Dvoranit për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit

“Anëtarët e KED u shprehën se nuk hyn në veprimtarinë dhe kompetencën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vendimmarrja e kërkuar me anë të “Njoftim Qëndrimi“ të përcjellë nga Z. Ardian Dvorani” thyhet në njoftimin zyrtar të KED pas mbledhjes së kësaj të mërkure.

Presidenti Meta e kishte cilësuar më herët këtë kërkesë antikushtetuese.

“Përfshirja në rend dite dhe shqyrtimi i një çështjeje që në thelb është e zgjidhur dhe që nuk është kompetencë e KED-së. Para së gjithash është kapërcim kompetencash dhe përbën shkelje të parashikimeve të Kushtetutës dhe ligjit që sjell implikime ligjore si për anëtarët e KED-së, ashtu dhe për vendimmarrjen e këtij organi”.

Ish-gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani, kishte kërkuar  kthimin si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi KLGJ deklaroi mbarimin e mandatit të tij me kërkesë të Presidentit të Republikës.

Në një letër të dërguar kryetares aktuale të KED, Vitore Tusha në gusht të këtij viti,  Dvorani shprehej se mbarimi i mandatit të tij në Gjykatën e Lartë, nuk e pengon në cilësinë e tij si anëtar i KED.

Dvorani, i cili tashmë është gjyqtar i Apelit Administrativ, vë në dukje boshllëkun në ligje dhe në kushtetutë në lidhje me këtë çështje duke theksuar se baza ligjore aktuale nuk ka asnjë rregullim konkret dhe të shprehur, në lidhje me rastet kur anëtarë zëvendësues të KED, gjatë vitit kalendarik të mandatit ndryshojnë funksionin të cilin kanë pasur në momentin e realizimit të shortit nga i cili janë zgjedhur.

Për këtë arsye, Dvorani shprehet se ndryshimi i detyrës së tij nga gjyqtar në Gjykatën e Lartë në anëtar të Apelit administrativ, nuk sjell asnjë pasojë në mandatin e tij 1-vjeçar si anëtar i KED deri në fund të këtij viti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara