Kaq ka investuar Zvicra në Shqipëri më 2019

07:12 | 26 Qershor 2019

Vendet e Bashkimit Evropian vazhdojnë të kryesojnë listën e investitorëve të huaj potencial në Shqipëri, duke i dhënë peshë të rëndësishme totalit të Investimeve të Huaja Direkte në Shqipëri, në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.

Holanda kryeson listën e investitorëve të huaj në Shqipëri në tremujorin e parë të këtij viti, bën të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka Qendrore, investimet holandeze për periudhën janar-mars 2019, kapin shifrën e 77 milionë eurove.

Ndër investitorët më të mëdhenj nga Holanda renditet kompania “Statcraft” që ka investuar në ndërtimin e dy hidrocentrale në lumin e Devollit (Moglica dhe Banja) dhe Shell, i cili po kërkon për naftë në zonën e Shpiragut, transmeton ATSH.

Pas Holandës, renditet Zvicra me flukset të larta investimesh që kapin shifrën e 67 milionë euro në tremujorin e parë 2019, të adresuar në projektin gjigant të gazsjellësi TAP, përcjell albinfo.ch.

TAP është investimi më i madh në vend, me një total prej rreth 1.5 miliardë euro.

Ndërsa investitori i tretë më i madh në Shqipëri është Austria, me 25 milionë euro në tremujorin e parë, e ndjekur nga Turqia me 19 milionë euro.

Më pas renditet Italia, investimet nga e cila shënuan rritjen më të fortë në janar-mars 2019 (me bazë vjetore), duke u shtuar me 15 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Për të vijuar me investimet nga Franca që në tremujorin e parë të këtij viti ishin 12 milionë euro.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara