Ish- ministri Tahiri: Tani do flasë gjykata, historia e gjyqit tim është bërë komike

17:24 | 11 Qershor 2020

Ditën e sotme Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi që të shpallë më 24 qershor vendimin për ish- ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri dhe ish- drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Seanca e sotme nisi në orën 10:00 dhe zgjati deri në orën 16:00.

Gjatë seancës Tahiri ka bërë vetëm mbrojtjen para trupës gjykuese.

Ata u tërhoqën për 15 minuta pushim, por më pas njoftuan se seanca e radhës kur pritet të jepet vendimi do jetë në 24 qershor në orën 11:00.

Prokurorët Vladimir Mata dhe Dritan Prenci kërkuan dënimin me 12 vite burg për dy ish zyrtarët ndërsa avokatët kërkuan pafajësi.

Në përfundim duke folur para mediave Tahiri tha se është radha që gjykata të japë vendimin në një gjyq që sipas tij është bërë komik.

“Tani do të flasë gjykata.

“Ne folëm dhe tani do të flasë gjykata. Nuk ja vlen të zgjatem. Kursejani dhe njerëzve gjithë këtë historinë komike të gjyqit tim që është bërë qesharake. Nuk ka ndryshuar asgjë, e njëjta gjë.

“Nuk kam folur shumë gjatë kohës që kam qenë i akuzuar dhe në gjyq për të respektuar drejtësinë, jam i vetmi dhe që kam dhënë mandatin e deputetit për tu përballur me drejtësinë, mund të vija këtu si deputet dhe të më shihnit të enjten në parlament duke bërë ndonjë sherr.

“Rëndësi ka që para të gjithëve jam super i bindur që kam bërë në çdo hap të punës sime gjënë e duhur, jo vetëm për akuzat e prokurorisë por dhe akuzën që më ngjiti gjykata, akuzën e shpërdorimit të detyrës. Të jeni të bindur se e kam bërë më mirë detyrën se kushdo tjetër nga ata që ishin dhe ata që janë.

“Çmimi i jetës time nuk kalon nga çmimi i karrierës së tyre”, tha Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara