Gjiknuri tjetër letër opozitës për të marrë pjesë në reformën zgjedhore

13:57 | 22 Maj 2020

Bashkëkryetari për Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore Damian Gjiknuri i ka dërguar sërish një letër dy përfaqësuesve të opozitës Oerd Bylykbashi e Petrit Vasili, që të ulen për të çuar përpara reformën zgjedhore.

Letra e dërguar nga Damian Gjiknuri për Bylykbashin dhe Vasilin:

Të nderuar Zoti Oerd Bylykbashi dhe Zoti Petrit Vasili,

Sikurse jeni në dijeni, mbledhja e njoftuar dhe dakordësuar e datës 18 Maj 2020 nuk u bë e mundur për shkak të mungesës suaj, pa një njoftim zyrtar drejtuar grupit të punës së Këshillit Politik.

Në cilësinë e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe anëtarit të tryezës politike të Grupit Negociator të ngarkuar nga Këshilli Politik, në datën 20 Maj 2020 ju propozova dy data opsionale për zhvillimin e tryezës së rradhës, me të njëjtin rend dite me atë të mbledhjes së datës 18 Maj, në të cilën ju nuk u paraqitët.

Kërkesa ime sa më lart nuk mori një përgjigje nga ju duke pamundësuar zhvillimin e tryezës në datat 21 dhe as 22 Maj.

Gjej rastin të shpreh keqardhje për disa deklarime tuajat publike ku pretendohet se propozimet e depozituara prej jush në tryezën e grupit negociator nuk kanë marrë përgjigje. Ashtu sikurse ju e dini, grupi i përbashkët i ekspertëve ka punuar mbi draftet e paraqitura në tryezë, duke marrë edhe opinionet e nevojshme nga ODIHR, Këshilli i Evropës dhe NDI.

Sikurse sëbashku jua kërkuam në mbledhjen e fundit, ekspertët e përbashkët kanë formuluar amendamente konsensuale për Kodin Zgjedhor duke marrë në konsideratë një pjesë të konsiderueshme të propozimeve tuaja. Amendamentet e hartuara nga grupi i ekspertëve referuar rolit të policisë në zgjedhje, rolit të prokurorisë, sanksionimit të trajtimit nga SPAK të krimeve të korrupsionit zgjedhor,  forcimit të mekanizmave për sinjalizuesit e shkeljeve zgjedhore dhe mbrojtjen e tyre, përcaktimin e periudhave zgjedhore, adresimit të kuotave gjinore, elementët e teknologjisë në monitorimin e qendrave të votimit etj, presin miratimin tonë në nivel të tryezës politike.

Mbledhja e 18 Majit e cila nuk u bë e mundur të zhvillohej, pritej që të na çonte në dakordësimin në nivel politik të këtyre çështjeve ashtu sikurse do të përqëndroheshim më tej tek puna për gjetjen e konsensusit për çështjet për të cilat ende kemi qëndrime të ndryshme. Duke shfrytëzuar këtu edhe ekspertizën ndërkombëtare të sipërcituar, sikurse e kemi sanksionuar në dokumentin e përbashkët të marrëveshjes politike të 14 Janarit.

Nisur nga nevoja urgjente e adresimit të këtyre çështjeve dhe fakti se po afron data 31 Maj si koha kur sëbashku ishim angazhuan për përmbylljen e procesit brenda tryezës së negociatave, ju ripropozoj pa humbur kohë:

Zhvillimin e tryezës së grupit negociator të Këshillit Politik në datën 26 Maj 2020, ora 10:00 në mjediset e Pallatit të Kongreseve. Mbledhja mund të zhvillohet edhe në çdo datë tjetër përpara 26 Majit, mjafton që ju ta keni të mundshme pjesëmarrjen.

Në pritje të konfirmimit tuaj,

DAMIAN GJIKNURI

Bashkëkryetar i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.

 

Lajmet më të lexuara