Cili ishte roli i Mustafa Qemalit në kryengritjet shqiptare?

11:09 | 4 Shtator 2017

Është shkruar në mënyrë shteruese për modernizuesin e Turqisë moderne, Mustafa Qemalin e mbiquajtur ‘Ataturku’, prejardhjen e tij shqiptare nga babai dibran, lidhjet e shumta me oficerë shqiptarë e deri te marrëdhëniet e vështira me mbretin Zog në kohën e rivendosjes së lidhjeve mes Shqipërisë dhe shtetit turk.

Arkitekti i ardhshëm i perëndimorizimit të Turqisë ishte mpleksur në një mënyrë ose tjetrën në vorbullën e zhvillimeve në pjesët më kryengritëse të Perandorisë Osmane – në vilajetet shqiptare, shkruan Konica.al.

Biografi i heroit kombëtar turk, Andrew Mango jep disa hollësi interesante për Ataturkun dhe rolin e tij në shuarjen e kryengritjeve të mëdha shqiptare.

Dihet se ministri i Luftës Mahmut Shefqet Pasha ka udhëhequr personalisht disa nga fushatat ndëshkimore të ushtrisë osmane në vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës.

Sipas burimeve të kohës, por edhe njoftimeve nga shtypi perëndimor, këto ekspedita lanë pas vetës qindra të vrarë, shkatërrime e arrestime të gjëra.

“Në shtator të vitit 1910 Mahmut Shefqet Pasha arriti në Selanik dhe mblodhi një staf që përfshinte edhe Mustafa Qemalin krahas oficerëve të tjerë”, shkruan studiuesi britanik.

Mustafa Qemali, vijon më tej Mango, ishte caktuar në stafin e korpusit të pestë ushtarak në Selanik në janar të vitit 1911, dhe me këtë rast ai ishte bashkuar ministrit osman të Luftës në shuarjen e revoltës shqiptare të muajit mars.

mahm

Kjo kryengritje ishte shuar me një dorë të hekurt, saqë popullata u urdhërua t’i dorëzonte armët.

Siç thoshte kreu i zyrës së Sulltanit, Lutfi Simavi “dhuna e panevojshme nga qeveria, që nuk dinte se çfarë po bënte, çoi drejt një katastrofe”.

Por cili ishte qëndrimi i Mustafa Qemalit mbi kryengritjet shqiptare?

“Mustafa Qemali nuk duket se i ka kushtuar shumë vëmendje problemeve politike të revoltës shqiptare. Ai ishte përqendruar në çështje ushtarake, përfshirë inteligjencës, meqë ishte një sekret i hapur se shqiptarët po marrin armë nga vendet fqinje. Sipas një raporti, ai kaloi fshehtas në Bosnjë, me ndihmën e një oficeri osman që shërbente në kufirin me Austro-Hungarinë”, shkruan Mango në librin e tij.

Burimi: Andrew Mango, Ataturk: The Biography of the founder of Modern Turkey, 2002.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara