Bushati: Mosndëshkimi i krimit mjedisor në tre dekada tranzicioni ka topitur vigjilencën qytetare

13:30 | 5 Qershor 2020

Sot shënohet Dita ndërkombëtare e Mjedisit.

Me këtë rast ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati ka kërkuar të reflektojmë në punën për një të ardhme më të mirë e të sigurtë duke u kujdesur për qëndrueshmërinë e mjedisit, shkruan portali arbresh.info

Përmes një postimi në ‘Facebook’, ka deklaruar se mosndëshkimi i krimit mjedisor në tre dekada tranzicioni ka topitur vigjilencën qytetare.

Postimi i tij i plotë:

Sot, në Ditën Botërore të Mjedisit le të reflektojmë për nevojën për të punuar për një të ardhme më të mirë e të sigurtë duke u kujdesur për qëndrueshmërinë e mjedisit tonë.

Mosndëshkimi i krimit mjedisor në tre dekada tranzicion ka topitur vigjilencën qytetare. Grykësia për të fituar më çdo kusht, e në shpërfillje të të mirës publike, ka prodhuar pasoja të rënda për ekosistemin, sigurinë kombëtare, erozionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.Sfidat mjedisore me të cilat përballemi kërkojnë ndërgjegjësim politik dhe shoqëror, investim në edukim e shkencë dhe përqafim të teknologjive të reja, si motorr i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.
Përkujdesja ndaj natyrës dhe mjedisit ku jetojmë duhet të jetë e përditshme dhe pjesë e edukimit qytetar. Ajo nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve të specializuara në mbrojtjen e mjedisit. /arbresh.info/

Lajmet më të lexuara