Bomba e tatimit mbi të dypunësuarit: a mund të paguhet me këste?

08:17 | 9 Maj 2019

Elton S., një individ i dypunësuar ka marrë gjatë vitit 2018 dy paga në dy kompani të ndryshme, ku në njërën është paguar rreth 162 mijë lekë në muaj dhe në tjetrën rreth 96 mijë lekë. Për të dyja pagat, gjatë vitit ai ka paguar rreth 371 mijë lekë tatim mbi të ardhurat (TAP), që i është mbajtur në burim nga punëdhënësi. Për pagën e parë ka paguar 0% deri në 30 mijë lekë dhe 13% për diferencën. Për pagën e dytë ka paguar 0% deri në 30 mijë lekë, 13% nga 30,001 -130,000 lekë dhe 23% mbi 130 mijë lekë.

Duke qenë se të ardhurat vjetore i kalojnë 2 milionë lekë, ka qenë i detyruar që të bënte deklarimin e të ardhurave personale për 2018-n, afati i fundit i të cilës ishte 30 prilli. Sipas ndryshimeve të reja ligjore, në deklarimin e 2018-s, Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm.

Ekonomisti i tij Armandi, e rillogariti Tatimin mbi të ardhurat mbi një pagë të vetme prej rreth 258 mijë lekësh në muaj, çka çoi tatimin total mbi të ardhurat në 532 mijë lekë (për shkak se në momentin që dy pagat llogariten si një e vetme, rritet shuma që paguhet me tatim prej 23% dhe shuma nga 0-30 mijë lekë tatohet zero vetëm një herë).

Si rrjedhojë, tatimi mbi të ardhurat që duhet vetëdeklaruar e paguar shtesë është edhe 161.6 mijë lekë, (shiko tabelën në fund), të cilën Eltoni duhet ta paguajë njëherësh brenda 30 prillit të vitit të ardhshëm.

Armandi thotë se klienti i tij ankohet se kjo është një shumë e madhe për tu paguar njëherësh dhe do të ishte mirë që të paguhej me këste. Armandi shton se më e udhës do të ishte që agjent tatimor të ishte kompania ku ka pagën më të lartë sesa me vetëdeklarim në fund. Nëse kompania do ishte agjenti tatimor, pagesa do kryhej çdo muaj, dhe nuk do ngelej në fund të vitit të paguante 161,000 lekë njëherazi. Ai shton se barra mbi pagën është tepër e lartë dhe në rastin konkret arrin në 22% të të ardhurave (shiko tabelën në fund) dhe është një shkak për evazion, në një kohë kur një individ me të ardhura të tilla nuk mund të konsiderohet kurrsesi si i pasur.

Si Eltoni janë dhe me qindra të dypunësuar të tjetë, që, sipas të dhënave zyrtare të tatimeve, duhet të paguajnë detyrim shtesë edhe  646 milion lekë (rreth 5.1 milionë euro), si diferencë, për vitin 2018. Kjo shumë është ndjeshëm më e lartë, rreth 75% më e lartë, krahasuar me një vit më parë.

Armandi thotë se fakti që këtë vit është rritur kufiri i tatimbi 23% nga 130 në 150 mijë lekë, nuk është ndonjë lehtësim i madh, pasi kursimi amortizohet nga rritja e pagës maksimale për efekt të deklarimit të sigurimeve shoqërore. Në rastin konkret, kursimi është 14 mijë lekë për gjithë vitin.

A mund të paguhet me këste?

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar për Monitor se marrëveshja për pagesë me këste mund të lidhet për detyrime tatimore të vendosura nga administrata tatimore për një vlerësim tatimor të kryer.

Marrëveshja për pagesë me këste nuk mund të lidhet për detyrimin tatimor të vetëdeklaruar nga tatimpaguesi, i cili është llogaritur, ose mbledhur, ose mbajtur prej tij, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Tatime të një natyre të tillë, por pa u kufizuar vetëm në to, përmenden:

• Tatimi mbi Vlerën e Shtuar,
• Tatimi i mbajtur në burim,
• Tatim nga të ardhurat personale,
• Kontributet për sigurimet shoqërore e shëndetësore
• Ndonjë lloj takse e cila llogaritet, mblidhet e mbahet nga tatimpaguesi

Tabela: Llogaritja e pagave gjatë vitit dhe për efekt të vetedeklarimit të të ardhurave./MONITOR

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara