Berisha ironi me Thaçin: Pse të mos kërkojmë edhe Ulqinin, Tuzin, Dibrën

21:39 | 13 Shtatorë 2018

Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë akuza të forta ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi duke e quajtur “argat” të Serbisë në Prishtinë. I pyetur në emisionin “Opinion” përse ka rritur dozat e akuzave ai tha se për vite të tëra me Thaçin ka mbrojtur te ndërkombëtarët tentativat e Beogradit për të marrë territore të Kosovës, por tashmë Thaçi ka ndryshuar mendim.

“ Pse e quaj argat? Unë bashkë me të kemi kundërshtuar çdo përpjekje të Beogradit për Serbinë e madhe. Del ky një ditë të bukur dhe thotë: Nuk e ka thënë Beogradi këtë, por po e them unë këtë të kufijve” – tha Berisha.

Ai tha se ndryshimi i kufijve është hapi i parë i çmontimit të Kosovës.

“Nuk jam kundër një marrëveshje, e mbështes një marrëveshje. Ballkani është më i pasuri për minoritete, por problemi nuk janë ata por maxhorancat. Të përdoren minoritetet si plaçkë tregu është çnjerëzore. Thuaju atyre që ka një marrëveshje që e kanë firmosur me gjak. Pse Serbia dhe Rusia e kanë këtë përqendrim në Mitrovicë? Prapavija e marrëveshjes është Serbia e madhe, ata vijnë me flamurin e Serbisë së madhe dhe nuk mund të lejohet” – tha Berisha që duke folur për këtë argument tha: “Pse të mos kërkojmë dhe Ulqinin, Tuzin, Dibrën? Nuk bëhet shaka me kufijtë”./opinion

Shpërndaje në rrjete sociale