Bashkia e Durrësit u kërkon qytetarëve që kanë përfituar bonusin e qirasë të lënë hotelet

17:00 | 7 Janar 2020

Bashkia e Durrësit u kërkon banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe që kanë përfituar bonusin e qirasë, të lënë menjëherë hotelet ku janë strehuar.

Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Florian Tahiri, thotë se deri më tani nga 4184 persona që kanë aplikuar për bonusin e qirasë, për 1034 prej tyre lekët kanë kaluar në llogari bankare, ndaj dhe ata duhet të lënë hotelet ku janë strehuar.

Florian Tahiri: Në momentin që kalojnë lekët në llogari bankare atëherë qytetarit i bëhet me dije se i ka dalë bonusi i qirasë dhe nuk mund të përfitojë nga dy politika strehimi që ka vënë në dispozicion qeveria. Në momentin që atyre u del bonusi i qirasë janë të lutur që të kalojnë te shtëpitë me qira.

Por banorët që kanë përfituar bonusin thonë se për ta gjetja e një banese me qira është tejet e vështirë pasi nuk ka shtëpi në treg dhe se çmimet së fundmi janë rritur ndjeshëm.

“I kanë qiratë e larta.”

“Shtëpi me qira është shumë e vështirë me gjet.Një dhomë e kuzhinë 200 mijë lekë.”

Sa i përket strehimit afatgjatë, nënkryetari i Bashkisë së Durrësit shpjegon se harta për rindërtimin e godinave është dorëzuar në Kryeministri.

Sipas tij, i mbetet Komitetit të Rindërtimit dhe Qeverisë për të vendosur se në cilat parcela do të ndërtohen banesat e reja.

Florian Tahiri: Janë 4-5 opsione që i janë parashtruar Kryeministrit dhe Ministrit të Rimëkëmbjes dhe jemi akoma në fazën e studimit të territorit dhe situatës për të vendosur nëse banesat do të jenë të fokusuara në një zonë apo do të jenë të shpërndara në zona të caktuara të Durrësit.

Sipas Bashkisë së Durrësit nga rreth 3000 persona që ishin strehuara në hotele para vitit të ri, sot ky numër ka rënë në 2000 persona./oranews

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara