Basha-Ramës: Prano hetim për viktimat

23:54 | 21 Nëntor 2020

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka deklaruar se kryeministri Rama nuk iu dha përgjigje akuzave për fshehjen e numrit të viktimave të COVID-19 por i iku përgjegjësisë.

Përmes një video-mesazhi në Facebook, Basha theksoi se mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve. Ai nënvizoi gjendjen e rëndë në të cilën sipas tij ndodhet vendi si pasojë e keqmenaxhimit të situatës nga kryeministri.

Basha iu drejtua direkt kryeministrit duke i bërë thirrje të pranojë një hetim për informacionin që ai thotë se Rama ka fshehur.

“Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë. Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën. Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata. Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë. Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria. Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë. Njerëzit po vdesin përditë. Spitalet po kolapsohen. Biznesi po falimenton. Varfëria dhe papunësia po rriten. Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave. Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19. Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë.”, ka deklaruar Basha.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara