Swift kritikon shërbimin “Apple Music”

23:21 | 21 Qershor 2015

Këngëtarja e njohur amerikane, Taylor Swift, ka kritikuar ashpër shërbimin e ri të Apple-it, “Apple Music”.

Në një letër të hapur në blogun e saj “Drejt Apple-it, me dashuri Taylor” këngëtarja ka kritikuar gjigantin teknologjik për shkak se nuk i paguan tekstshkruesit, producentët dhe artistët gjatë tre muajve të parë sa ky shërbim është falas për përdoruesit.

“Kjo është shokuese, zhgënjyese dhe krejtësisht ndryshe nga progresi dhe bujaria e kësaj kompanisë. Tre muaj është kohë e gjatë për artistët që të mos paguhen dhe është e padrejtë që të kërkosh nga dikush të punojë për asgjë”, ka shkruar ajo.

Apple do ta lëshojë për përdoruesit shërbimin e ri muzikor që nga 30 qershori për iPhone, iPad dhe iPod Touch, ndërsa për pajisjet Android dhe Windows do të vijë gjatë vjeshtës.

Shërbimi pas tre muajve falas do të kushtojë 9.99 dollarë në muaj duke ofruar qasje në 30 milionë këngë.

Apple ka refuzuar të komentojë në lidhje me letrën e Swiftit.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara