Nesër hapet Panairi i “Librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”

15:22 | 24 Shtator 2020

Nesër (e premte), në oborrin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë, nën masa të rrepta dhe rekomandime të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, hapet “Panairi i Librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur”, edicioni i parë, i cili do të vijojë të mbetet i hapur deri më datë 27 shtator.

Hapja zyrtare e panairit është në orën 11.00.

Në këtë panair, i pari i këtij lloji në Kosovë, do të paraqiten mbi 700 tituj të librave të vjetër, të rrallë dhe të përdorur.

Në kuadër të panairit do të shënohen edhe disa aktivitete, si:

Në bashkëpunim me Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë rihapet ekspozita “Kosova në arkivin e shtetit shqiptar”.
Më datë 25 shtator, në orën 19.00, në platenë e kafe-librarisë “Sonder” në Prishtinë mbahet një mbrëmje letrare, kritike, poetike me shkrimtarin Milazim Krasniqi.
Më datë 26 shtator, në orën 11.00, në oborrin e Institutit të Albanologjisë përurohet dhe hapet ekspozita e “Librit të vjetër dhe të rrallë”.
Më datë 26 shtator, në orën 19.00, në platenë e kafe-librarisë “Sonder” në Prishtinë mbahet një mbrëmje letrare, kritike, poetike me shkrimtarin Primo Shllaku.
Më datë 27 shtator, në orën 13.00, në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” mbahet ora poetike, me moton “Pandemia na largoi, poezia na ofroi”. Në këtë orë poetike nuk do të ketë publik të pranishëm përpos aktorit dhe interpretuesit Bislim Muçaj, kameramanit, organizatores dhe dy bashkëpunëtorëve. Organizimi nga mediat për publikun do të përcillet “live” (drejtpërdrejt).
Më datë 27 shtator, me fillim nga ora 15.00, në oborrin e Institutit të Albanologjisë në Prishtinë organizohet Dita e Dhurimit të Librit. Librat që do të dhurohen, nga botues dhe individë, në këtë edicion do t’u dhurohen bibliotekave të shkollave të Komunës së Prishtinës. Të gjithë librat e dhuruar do të regjistrohen nga aktivistët e panairit dhe dhuruesit do të nënshkruhen në dëshmi me rastin e dhurimit të librave.

Lajmet më të lexuara