Këta këngëtar performojnë në hapjen e stadiumit “Air Albania Stadium”

18:47 | 16 Nëntor 2019

Nesër Shqipëria do luaj ndeshjen me Francën në Stadiumin e ri.

E diela e 17 nëntorit do të jetë një ditë historike për futbollin shqiptar, pasi do të inaugurohet shtëpia e re e Kombëtares “Air Albania Stadium”. Ndeshja kualifikuese Shqipëri-Francë, e fundit për fazën e grupit H eliminator të “Euro 2020”, do të jetë edhe festë sportive.

Veç të ftuarve VIP, ish-futbollistëve të shquar të kombëtares etj, do të ketë edhe këngëtarë me emër, që do të performojnë në tapetin e blertë, para se topi të nisë të ecë në këmbët e 22 futbollistëve. E kemi fjalën për ceremoninë e inaugurimit, që do t’i paraprijë ndeshjes së futbollit.

Spektakli artistik do të drejtohet nga prezantuesi i njohur shqiptar, Ardi Gjebrea. Sipas “Anabel”, gjithçka do të hapet me performancën e Era Istrefit, e cila këndoi edhe këngën zyrtare të “FIFA Ëorld Cup 2018” në Moskë, në ceremoninë e hapjes së këtij kompeticioni global, të titulluar “Live it up”.

Pas saj, në skenë do të ngjitet Flori Mumajesi me këngën hit të tifozerisë së kombëtares, “Kuq e zi je ti”, por pa Elvana Gjatën në krah. “Xhamadani vija-vija” do të interpretohet e treta nga zëri buçitës i Aurela Gaçes. Po kështu, është menduar që edhe dy himnet kombëtare, ai shqiptar dhe i Francës, të këndohen “live” nga dy këngëtare. “Himni i flamurit” do të vihet në gojën e Juliana Pashës, ndërsa “La Marseillaise” i është besuar zërit të veçantë të Besa Kokëdhimës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara