Geti nuk paraqitet në gjykatë në rastin e Ledri Vulës, policia e kërkon

08:17 | 23 Shkurt 2017

Themeluesi grupit “Babastars” dhe njëri nga reperët më të njohur shqiptar, Getoar Selimi, nuk po paraqitet për të dëshmuar në gjykimin ku palë e dëmtuar është njëri nga ish-anëtarët e grupit të tij, Ledri Vula.

Në këtë rast gjyqësor për lëndim të lehtë trupor akuzohen Krenar Çoçaj dhe Gazmend Mirena.

Gjyqtari i rastit, Beqir Kalludra, njoftoi se ka lëshuar urdhëresë për Policinë e Kosovës që të verifikojnë adresën e Getoar Selimit.

“Mungojnë dëshmitarët Getoar Selimi dhe Fidan Demolli, për të cilët Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikimin e vendbanimit dhe sipas informatave të Stacionit Policor Jugu për dëshmitarin Getoar Selimi i njëjti rezulton se jeton në Shqipëri. Ne në vazhdimësi kemi bërë përpjekje të sigurojmë prezencën e tij, por nuk kemi arritur ta bëjmë”, tha gjyqtari Kalludra, shkruan Kallxo.com.

Për dëshmitarin tjetër, Fidan Demolli gjyqtari tha se gjendet jashtë vendit.

Gjyqtari Kalludra më tej tha se nëse nuk sigurohet prezenca e këtyre dy dëshmitarëve, deklaratat e tyre të dhëna në polici do të konsiderohen të lexuara.

Çoçaj bashkë me Gazmend Mirenën akuzohen se natën e 7 qershorit 2012, kishin sulmuar Ledri Vulën pasi ia kishin zënë rrugën me veturë dhe e kishin nxjerrë nga vetura në njërën nga rrugët kryesore të Prishtinës.

Dy ditë më parë dëshminë e tij para gjykatës e dha Ledri Vula.

Ai tregoi se natën e sulmit ishte ftuar nga Getoar Selimi në studion muzikore ndërsa në momentin e sulmit kishte qenë në veturën e tij. /Kallxo.com/

Lajmet më të lexuara