Flet aktorja pjesë e “Bloodlands”: Si është të aktrosh në një film horror!

10:23 | 28 Shtator 2017

Kur luajti në filmin komedi “Femrat” si partnerja e Ermal Mamaqit, Enxhi Çuku ishte vetëm 17 vjeçe.

Edhe pse kanë kaluar disa vite, askush s’do ta besonte se vajzën e brishtë me buzëqeshje të përhershme në fytyrë do ta shihnim në skenat e përgjakshme të filmit të parë horror shqiptar, “Bloodlands”, shkruan Panorama.

Premiera e filmit me skenar dhe regji të Steven Kastrissios u shfaq këtë javë në kinema “Millenium”, ndërkohë që Enxhi rrëfen paskuintat e një filmi të frikshëm mes aktorëve Gëzim Rudi, Ilire Vinca, Suela Bako, Alesia Xhemalaj, Emiljano Palali, Dritan Arbana, Florist Bajgora.

Nga filmi “Femrat” me Ermal Mamaqin te filmi horror “Bloodlands”, ku je ndier më mirë si aktore?

S’i ndaj dot, se janë të ndryshme. Unë e ndiej veten gjithmonë mirë aty ku punoj me njerëz të mirë në radhë të parë, edhe profesionalisht. Te të dyja kam qëlluar mirë.

Çfarë emocioni përjetove kur pe veten në skenat e premierës së filmit “Bloodlands”?

Emocione si gjithmonë para një premiere, dhe pse ne aktorët, pra stafi, e kishim ndjekur më parë. Por gjithmonë është një emocion ndryshe kur e sheh në ekran kinemaje dhe me një publik prezent në sallë. Gjithsesi, mund të them se çdo gjë shkoi shumë mirë, filmi po shfaqet në kinema dhe deri tani, çdo gjë po shkon perfekt.

Si do ta përshkruaje rolin tënd?

Unë luaj Lorenën, një vajzë e thjeshtë nga fshati me ëndrrën për të studiuar në qytet. E miqësuar me fëmijët e familjes së sulmuar, ajo mundohet t’i ndihmojë sadopak.

Kulmi i dramacitetit që përjetove në skenat e këtij filmi horror, pra kur pe tmerrin me sy?

Për ne që xhirojmë nuk e kuptojmë skenën sa e frikshme paraqitet, deri sa e shohim në ekran. Kemi plot momente gazmore dhe surprizohemi dhe ne që luajmë nga ajo çfarë shohim në ekran. Sa e frikshme është, është ndjesi e ndryshme nga kushdo që e sheh në publik.

Si reagoi publiku në sallë?

Publiku prezent në premiere e pëlqeu shumë filmin, pasi gjatë shfaqjes u vu re reagimi në momentin e duhur kulminant të filmit. Kjo ishte një gjë e mirë.

Mund ta përshkruash adrenalinën që përjetove si protagoniste e skenave të frikshme dhe ndonjë paskuintë?

Për mua ishte kënaqësi e madhe të isha pjesë e këtij filmi. Përpos faktit që është filmi i parë shqiptar i këtij zhanri, është dhe realizimi shumë i mirë me produksion australian. Unë kam pasur jo shumë skena dhe kryesisht të qeta.

Mund të na zbulosh ndonjë sekret se si realizohen skenat e frikshme apo të përgjakura në kinema?

Është një punë e madhe që është realizuar me efektet, por s’po zbuloj më shumë, le ta shohë publiku në kinema dhe ta shijojë.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara