Emina Çunmulaj s’e harron traditën, vesh dimija e jelek

14:58 | 16 Mars 2018

Modelja e njohur shqiptare, Emina Çunmulaj mund t’i ketë ngjitur majat e suksesit në botë, por nuk i harron traditat e vendit prej nga vjen.

Madje, modelja duket të jetë shumë e dhënë pas traditave shqiptare veçanërisht pas ushqimeve tradicionale dhe këtë e tregon vazhdimisht përmes postimeve të shpeshta në rrjetet sociale.

Por së fundmi, ajo ka vendosur që të kujtojë një traditë tjetër – veshjen tradicionale me dimija e jelek.

Çunmulaj ka publikuar disa fotografi me dimija e jelek e bashkë me të është edhe e bija e saj, Ella Faria, njofton Klan Kosova.

Të dyja shkëlqejnë ku edhe janë veshur njejtë derisa duket se këto fotografi për to do të mbesin një kujtim i bukur, duke kujtuar se për pak muaj, Emina do të bëhet nënë për herë të dytë.

Në postimin e saj në Instagram, Emina ka treguar se ky është projekti i parë që ajo ka realizuar me të bijën. Madje ajo në gjuhën angleze ka spjeguar për fansat e saj këtë veshje tradicionale për shqiptarët.

“Do të doja të ndaja me ju pak nga kultura ime shqiptare. Veshja ime është një kostum tradicional shqiptar që quhet Dimije dhe Jelek ose Dallama por në këtë rast është një kombinim mes një fundi që e kisha unë (sepse pantollonat ose siç quhen dimije nuk më bënin për shkak të barkut”, ka shkruar modelja.

“Sa i përket dimijeve dhe jelekut, është një kostum që është sjellë në kulturën shqiptare gjatë sundimit ottoman dhe prej atëherë ne e kemi përvetësuar këtë veshje si kostum tradicional. Është vetëm një nga kostumet tona tradicionale pasi shqiptarët në regjione të ndryshme me dialekte të ndryshme kanë kostume të ndryshme”, ka spjeguar tutje ajo.

Këto padiskutim mund të quhen disa nga fotografitë më të bukura të Eminës të cilën e ka zbukuruar pa fund shtatzënia e dytë.

Modelja edhepse ka vite e vite që jeton larg atdheut duket se i ka ruajtur me xhelozi zakonet shqiptare.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara