Zemaj harron ndërtimin e dy spitaleve për COVID, thotë se klinikat janë mbushur me pacientë

16:45 | 21 Nëntor 2020

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar sot klinikat e QKUK-së së bashku me ushtruesin e detyrës së drejtorit të SHSKUK-së, Saudin Maliqi, për të parë gjendjen e hapësirave ku po trajtohen pacientët me COVID-19.

Zemaj përmes një postimi në Facebook tha se klinikat janë të mbushura me pacientë, ndërsa thotë se duhet të ruajmë njëri-tjetrin, në mënyrë që të mos përhapet infeksioni COVID-19.

“Personeli shëndetësor, në çdo klinikë dhe spital, përkundër lodhjes dhe ngarkesave, janë në krye të detyrës.

Kërkova që pacientët të kenë trajtimin e duhur, të mos ketë mungesa, as të hapësirave, as barnat e Listës esenciale dhe atyre të protokolleve, oksigjeni dhe çdo gjë tjetër për trajtimin efikas të pacientëve.

Klinikat dhe spitalet janë të mbushura, personeli shëndetësor është tejet i angazhuar, por jeta e qytetarëve tanë është më e vlefshme se çdo gjë tjetër. Të gjithë së bashku duke ruajtur njeri-tjetrin, ruajmë familjet tona, sistemin shëndetësor dhe Republikën e Kosovës”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Zemaj madje ka harruar që ka deklaruar për ndërtimin e dy spitaleve për pacientë me COVID-19.

“Përderisa shtetet evropiane po ballafaqohen me përhapjen e shpejtë të virusit dhe raportojnë numër të lartë të infeksioneve me Sars Covid-19, ne po përgatitemi për çdo skenar. Ministria e Shëndetësisë, ditëve në vijim do ta bëjë gati “Spitalin për Covid-19”, me 500 shtretër në Prishtinë”, kishte thënë Zemaj në shtator të këtij viti.

Kujtojmë se në 24 orët e fundit u shënuan 19 viktima nga COVID-19 si dhe u regjistruan 711 raste të reja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara