Deformimi i shtyllës kurrizore të fëmijës, shenjat paralajmëruese dhe rreziqet që mbart

16:45 | 15 Shkurt 2017

Lojërat e tepërta në celular, qëndrimi me orë të tëra para televizorit e internetit, si dhe çanta e mbushur me libra, po bëhen shkak për shfaqjen e deformimeve të shtyllës kurrizore që në moshë të vogël.

Ky shqetësim çdo ditë e më tepër është një problem të vazhdueshëm për shumë prindër. Fëmijët nga mosha  8-18 vjeç janë ata të cilët po e vuajnë këtë gjë. Fizioterapisti Endrit Mone në një intervistë për lexuesin e gazetës “Shëndet+” shpjegon se çfarë është skolioza, çfarë e shkakton dhe format e trajtimit të saj.

Doktor, çfarë është skolioza?

Skolioza përfaqëson të shtrembëruarit anësor të boshtit të kurrizit. Kjo sëmundje është si pasojë e qëndrimit jo të rregullt, për shembull, tek nxënësit në bankën shkollore, mbajtja e çantave shkollore në njërin krah etj.

Çdo ditë po shfaqen probleme me shpinën e fëmijëve tanë, nga krijohet ky shqetësim?

Shtylla kurrizore është e përbërë nga një fleksibilitet që lejon edhe mundëson vetëm disa lloj lëvizjesh. Në rastin e shtyllës kurrizore ‘të papjekur mirë’, siç është ajo e fëmijëve, është shumë e lehtë të kemi ndryshime përtej atyre të lejuara, veçanërisht nëse në to kemi ngarkesa të mëdha , për shembull 30% më tepër se pesha e trupit. Kemi probleme nëse rrimë për një kohë të gjatë në një pozicion të detyruar ose nga ndonjë faktor i jashtëm, si goditje ose nga ndonjë aksident. Gjithashtu, shumë probleme vijnë edhe nga patologjitë kongenitale, të lindura, që pasqyrohen në asimetrinë e trupit.

Kush janë më të prirur të ketë probleme të tilla ?

  • Më të prirur janë fëmijët deri në moshën 18-20 vjeç, kur edhe arrihet pjekuria kockore. Më vonë ndryshimet në strukturën kockore janë më të ngadalta edhe më të vështira.
  • Më shumë preket gjinia femërore sesa ajo mashkullore nga mosha 10-13 vjeç. Femrat janë gati 10 herë më të rrezikuara sesa bashkëmoshatarët e tyre meshkuj. Kjo për shkak se ato arrijnë një zhvillim më të shpejtë edhe më të hershëm sesa meshkujt.
  • Fëmijët, të cilët nuk kanë pasur lindje normale ose kanë pasur lindje parakohe.
  • Fëmijët që kanë lindur me patologji të ndryshme, të cilat shfaqen në shtyllën kurrizore. Ata që kanë lindur me luksacion koksofemoral, ata që kanë lindur me probleme muskulore. Fëmijët që kanë asimetri në gjymtyrë.

Si njihen ndryshe këto deformime edhe si mund t’i kapim në kohë?

  • Ndryshimet patologjike të shtyllës kurrizore janë kifoza edhe skolioza.
  • Skolioza është një deformim lateral i vertebrës që shoqërohet edhe me rrotullim të saj. Skolioza mund të paraqesë një kurbë primare (torakale, torako-lumbare, lumbare, cerviko-torakale) ose dy kurba primare (kurbë torakale dhe lumbare, dopio kurbe torakale, kurbë torakale dhe torakolumbare)
  • Skolioza matet me gradë edhe trajtohet në bazë të gradëve të cilat mbart.
  • Deri në 15 gradë, skolioza trajtohet me ushtrime për posturën nga fizioterapisti.
  • Nga 20-30 gradë skolioza trajtohet me bust rregullues edhe fizioterapi.
  • Mbi 35 gradë trajtohet me bust rregullues edhe vlerësohet si rast për kirurgji.
  • Ndërsa kifoza është një kurbaturë dorsale, e cila duket në profil edhe nëse kalon 35 gradët konsiderohet si anormale, edhe pse trajtimi duhet filluar më parë. Kifoza është mjaft e dukshme, sepse kolona merr një pamje të përkulur në pjesën e kurrizit.
  • Këto deformime të shtyllës kurrizore, mjaft të dëmshme për shëndetin e fëmijës, mund të evidentohen nga prindërit në momentin që fëmijët zhvishen ose shfaqin një problem, nga mësuesi i fizkulturës ose doktoresha e shkollës.

Cilat janë rreziqet që mbartin këto deformime edhe shenjat e tyre?

  • Rrezikshmëria e tyre qëndron në faktin që nëse këto deformime nuk kapen dhe trajtohen në kohë deri në moshën 18 vjeç, më vonë është e vështirë të kemi ndryshime të dukshme pasi kocka ka arritur një pjekuri të saj. Rrezikshmëria arrin deri në fatalitet në rastet të cilat janë mbi 40 gradë.
  • Rreziku tek femra qëndron në faktin që femra do të bëhet nënë dhe në vitet e ardhshme do të ketë edhe presionet e lindjes.
  • Ato deformime të cilat janë në nivelin torakal, rrezikojnë të shtypin edhe organet duke penguar frymëmarrjen.
  • Përveç një rreziku estetik, deformimet sjellin lodhje të shpejtë, pengesë në frymëmarrje, dhimbje të shpinës etj.
  • Personat që janë me skoliozë, duhet të dinë që skolioza nuk shkon asnjëherë 0 gradë, por ajo duhet të trajtohet edhe të mirëmbahet në atë gradë që nuk është e dëmshme.

Shenjat të cilat do të ndihmonin shumë prindërit për një kontroll të shpejtë:

  • Niveli i supeve, në deformime niveli i tyre është asimetrik.
  • Niveli i krestave iliake, pjesa e legenit, në fundin e barkut, niveli i tyre duhet të jetë i njëjtë.
  • Niveli i gjymtyrëve të poshtme, niveli i gjunjëve.
  • Në një qëndrim normal, hapësira që krijon bërryli me harkun e trupit duhet të jetë e njëjtë nga të dyja anët.
  • Niveli i shpatullave duhet të jetë i njëjtë.
  • Nëse përkulim fëmijën me këmbët e mbledhura edhe dallojmë që njëra anë është më sipër se ana tjetër në kurriz.
  • Në një qëndrim për disa minuta, fëmija ka tendencë të ndërrojë peshën e trupit nga njëra anë te tjetra.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara