Arsyet e infertilitetit

10:46 | 30 Nëntor 2018

Prej vitesh shoqëria njerëzore dhe specialistët të cilët kanë trajtuar çiftet me probleme të fertilitetit janë munduar të gjejnë zgjidhje dhe, sa më shumë rriteshin njohuritë në lidhje me problematikat e shumta që ndikonin në aftësinë për të patur fëmijë, aq më të shumta dhe më të suksesshme ishin opsionet e trajtimit të çifteve infertilë, duke tejkaluar edhe parashikimet më optimiste në këtë fushë.

Në këndvështrimin social, pamundësia për të pasur një fëmijë përjetohet si një zhgënjim i papritur për çiftet, duke ndikuar në psikologjinë e tyre, me ndjenjën e fajit dhe një impakt negativ në përjetimet e së shkuarës dhe të ardhmes. Infertiliteti konsiderohet si pamundësi e realizimit të një prej dëshirave më të mëdha të njerëzve, dëshirën për të qenë prindër.

 

Në ditët e sotme mund të themi me bindje të plotë se shkencat mjekësore kanë arritur një fitore pothuajse absolute në përpjekjet e tyre për tu ofruar ndihmë çifteve infertilë, sigurisht duke u bazuar në teknologjinë që sa vjen e bëhet më e sofistikuar dhe më e sigurt.

Nëse do ti referohemi të dhënave epidemiologjike, shkakësia e pamundësisë për të konceptuar një fëmijë është e shumëllojshme. Duke marrë në konsideratë këtë fakt, natyrshëm dhe në mënyrë të pakundërshtueshme mund të pohojmë se çelësi i trajtimit të sukseshëm të një çifti infertil qëndron pikërisht në diagnostikimin dhe përcaktimin e saktë të faktorit që influencon në këtë problem.

Protokollet e diagnostikimit kanë një vlerë të pakontestueshme në suksesin e menaxhimit të një çifti infertil, sepse përmes tyre ne mundësojmë identifikimin e një apo disa problemeve dhe ofrojmë zgjidhjen më të mirë në varësi të tyre. Një element i rëndësishëm i protokolleve diagnostike, është përshtatja e tyre në varësi të karakteristikave të çiftit infertil, për tu fokusuar pikërisht në situatat më të mundshme varësisht këtyre karakteristikave, sikundër mund të jetë mosha e gruas, probleme të ndryshme shëndetësore të saj apo të partnerit, etj.

 

Pavarësisht se pamundësia për të realizuar një shtatzëni është një problem që i përket mjekëve obstetër – gjinekologë, infertiliteti është një nënspecialitet për të cilin jo të gjithë specialistët gjinekologë posedojnë njohuri të plota dhe të mjaftueshme për diagnostikimin apo trajtimin e problemeve të lidhura me infertilitetin. Edhe natyralizimi dhe adaptimi i punës diagnostike tek një çift infertil është mjaft i rëndësishëm, duke theksuar edhe njëherë faktin se këta çifte do të përfitonin maksimalisht, duke ulur kostot kohore, ekonomike dhe psikologjike nëse do të drejtoheshin për asistencë mjekësore në klinika të nënspecializuara për problemet e infertilitetit.

Diagnostika në hulumtimin e problemeve të lidhura me infertilitetin është e shumëllojshme dhe për të qënë rezultative kërkon njohuri të mjaftueshme për të gjitha situatat shëndetësore që në pamje të parë duket se nuk kanë lidhje me specialitetin tonë, por që në mënyrë indirekte kanë një impakt mjaft të dukshëm në aftësinë e një çifti për të patur një shtatzëni. Për ilustrim do të përmendja këtu disa çrregullime të sistemit endokrin sikundër është funksioni i shtuar apo i pakësuar i gjëndrës tiroide, që ndikon në pamundësinë e vezoreve të femrës për të prodhuar ovocite të pjekura. Në këtë situatë, korrigjimi i disfunksionit në fjalë rezulton edhe në zgjidhjen e problemit. Gjithashtu, pavarësisht se diagnostika ka kosto ekonomike, nëse do të marrim në konsideratë koston kohore të “mbikonsultimeve” në klinika apo mjekë të ndryshëm pa eksperiencën e duhur në këtë specialitet, sa të bukur por aq edhe delikat, mendoj se kosto-efektiviteti total favorizon realizimin e procedurave diagnostike.

 

Puna diagnostike që synon vlerësimin e mirëqënies shëndetësore të femrës në aspektin riprodhues është mjaft komplekse dhe kërkon profesionalizëm të lartë, njëkohësisht njohjen dhe aftësinë për të përdorur teknologjinë e duhur specifike për këtë synim. Pikat kryesore të investigimit diagnostik konsistojnë në:

Vlerësimin e funksionalitetit të aparatit riprodhues femëror përmes evidentimit të hormoneve femërore dhe hormoneve të tjera që në mënyrë indirekte ndikojnë në sistemin riprodhues.

Vlerësimin e anatomisë së traktit gjenital, përmes teknikave të ndryshme, duke filluar nga ekzaminimi ekografik 3 dhe 4 dimensional, për të vijuar më tej me Histerosalpingografinë, një ekzaminim që vlerëson situatën e kalueshmërisë së tubave dhe me histeroskopinë, një ekzaminim, përmes të cilit realizohet vlerësimi me sy të lirë i hapësirës së brendshme të mitrës. Ky i fundit është një modalitet mjaft i rëndësishëm jo vetëm për të zbuluar praninë e ndonjë anomalie uterine që ndikon në infertilitet por njëkohësisht edhe të anomalive të tjera që probabilisht nuk ndikojnë në infertilitet por kanë një impakt mjaft të madh në rrezikun e humbjes së shtatzënisë pas konceptimit. Histeroskopia përveç diagnostikës, është mjaft e dobishme edhe në trajtimin e problemeve të ndryshme të diagnostikuar sikundër septumi uterin, polipet apo fibromiomat në brendësi të mitrës.

 

Vlerësimi i profilit infeksioz, duke u fokusuar më tepër në sëmundjet infektive seksualisht të transmetueshme. Evidentimi i infeksioneve të ndryshme është mjaft i rëndësishëm sepse trajtimi në kohë i infeksioneve mund të përmirësojë shanset për shtatzëni, ul rrezikun për abort si dhe rrezikun për transmetim vertikal të infeksionit nga nëna te fëmija.

Sigurisht që vlerësimi diagnostik te partneri mashkull është më e thjeshtë por jo më pak i rëndësishëm dhe konsiston në:

Vlerësimin e parametrave të likidit seminal, konkretisht volumi, numri, lëvizshmëria dhe forma e spermatozoidëve.

Vlerësimin e pranisë së infeksioneve të mundshme, kryesisht të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme si chlamydia, herpesi gjenital, gonoreja, sifilizi, etj, që ndikojnë negativisht në procesin e spermatogjenezës, duke ulur cilësinë e spermatozoidëve.

Vlerësimin e traktit seminal, për të përjashtuar ndonjë bllokim të mundshëm të sistemit të transportit të spermës.

Vlerësimin e funksionit seksual, konkretisht të funksionit erektil dhe ejakulator. Zakonisht këto çrregullime hasen në terren të sëmundjeve të tjera shoqëruese si çrregullimet psikike, diabeti, dëmtimet nervore, etj.

Në varësi të specifikave të ndryshme apo të situatave shëndetësore shoqëruese ky investigim mund të zgjerohet, duke implikuar edhe opinionin apo asistencën e specialistëve të disiplinave të tjera të mjekësisë si për shembull endokrinologu, neurologu, psikiatri, etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara