Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, dalja deri në 19.00 është 58.6%

19:54 | 15 Prill 2018

Sipas të dhënave të Komisionit shtetëror zgjedhor, deri në ora 19.00 në zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi që po mbahen sot, kanë votuar 58.6% e qytetarëve me të drejtë vote.

Të drejtë votimi kanë mbi 530 mijë qytetarët.Këto janë zgjedhjet e treta presidenciale që mbahen në Malin e Zi që pas shpalljes së pavarësisë. Qendrat e votimeve do të mbyllen në ora 20.00, ndërsa rezultatet preliminare pritet të publikohen një orë më vonë.

Kandidatët për president janë Millo Gjukanoviq nga DPS, Mladen Bojaniq nga pjesa më e madhe e opozitës, Draginja Vuksanoviq nga Partia Socialdemokratike (SDP), Marko Milaçiq përfaqësuesi i Prave Crne Gore, Vasilije Miliçkoviq nga grupi i qytetarëve, Hazbia Kalaç nga Partia e Drejtësisë dhe Pajtimit dhe përfaqësuesi i Koalicionit të serbëve Dobrilo Dedeiq.

Për fitore në rrethin e parë nevojiten më shumë se gjysma e votave të vlefshme. Nëse presidenti nuk zgjidhet në rrethin e parë, votimet përsëriten pas dy javësh. Presidentit aktual Filip Vujanoviq në maj i skadon mandati. Ai ishte në kryerje të detyrës së presidentit të shtetit në tri mandate. Zgjedhjet vëzhgohen nga rreth 2.000 monitorues vendorë dhe ndërkombëtarë, ndërsa rezultatet preliminare të projeksioneve pritet të dalin një orë pas mbylljes së vendvotimeve.

Shpërndaje në rrjete sociale