Xhaferi në Lituani: Maqedonia e Veriut do e mbajë mend këtë akt përgjithmonë

16:31 | 14 Mars 2019

Sot, Sejmi i Lituanisë, me vendim unanim, me 92 vota për e ratifikoi Protokollin për aderimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO.

Kryetari Xhaferi i cili është në Vilnus me ftesë të Kryetarit të Sejmit, z. Pranckietis, falenderoi deputetët e pranishëm për mbështetjen e dhënë. Xhaferi siguroi deputetët e pranishëm se Maqedonia e Veriut do të vazhdon me reformat me qëllim përmbushjen e synimeve kryesore, respektivisht anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE. Kreu i Kuvendit gjithashtu ka përmendur edhe sakrificat që Maqedonia e Veriut ka bërë për të larguar pengesat për integrimet euro-atlantike.

“Përpjekjet tona nuk ishin të kota dhe tani jemi në fazën e ecjes së kilometrave të fundit para anëtarësimit të plotfuqishëm në NATO dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në raport me NATO-n, ne shpresojmë se deri në fund të këtij viti ose fillimin e vitit 2020, protokolli për anëtarësimin e plotfuqishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO do të ratifikohet në të gjitha 29 parlamentet nacionale dhe me këtë do të bëhemi anëtare e tridhjetë e plotfuqishme me të gjitha të drejtat dhe obligimet që i ka çdo anëtare e NATO-s. Protokollin e para e ratifikoi Republika e Greqisë që mandej ta hapë rrugën për të gjitha parlamentet tjera nacionale. Deri tani, Republika e Sllovenisë, Republika e Shqipërisë, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Rumania dhe qe sot edhe Lituania e vulosën me vepër konkrete raportin e vet miqësor ndaj nesh. Republika e Maqedonisë së Veriut do e mbajë mend këtë akt përgjithmonë”, tha mes tjerash Xhaferi./AlsatM/

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara