Ushtria do të rinohet me nga 250 ushtarë të rinj çdo vit

18:22 | 20 Qershor 2019

Nga 250 ushtarë të rinj do të punësohen çdo vit si pjesë e transformimit të ARM-së që filloi me Pasqyrën strategjike mbrojtëse (PSM), që është miratuar vitin e kaluar, e konfirmoi informacionin për “Meta” Ministria e mbrojtjes.

Shpallja publike për pranimin e 125 ushtarëve profesionistë është e hapur deri nesër, të cilët do të jenë kontingjenti i parë i rekrutëve për këtë vit. Vitin e kaluar, janë punësuar 375 ushtarë të rinj.

Për shkak të shkurtimeve të vazhdueshme të buxhetit nga viti 2008 deri në vitin 2017, ARM-ja pesëmbëdhjetë vjet s’mundi të arrijë numrin e 8.167 ushtarëve, numër ky i projektuar në Pasqyrën strategjike mbrojtëse në vitin 2004. Ushtria deri më tani ka arritur të arrijë numrin e rreth 6,800 ushtarëve, që është edhe projeksion i ri me PSM-në nga viti 2018.

“Financimi joadekuat në dekadën e fundit ka rezultuar me një ndikim negativ të përgjithshëm mbi aftësitë dhe kapacitetet e ARM-së … Struktura e personelit në ARM devijon nga parashikimet dhe praktikisht nuk është e qëndrueshme. Ka tepricë të oficerëve me grada të larta, sidomos oficerë me gradën kolonel dhe nën-kolonel, ndërkohë që ka mungesë të oficerëve dhe nënoficerëve me grada fillestare të oficerëve dhe nën-oficerëve”, thuhet në PSM.

Shpallja publike për pranimin e 125 ushtarëve profesionistë është publikuar më 6 qershor dhe zgjat pesëmbëdhjetë ditë.
Kandidatët duhet të jenë me moshë mbi 18 vjeç, por jo më të vjetër se 25 vjet, të kenë shtetësi të Maqedonisë dhe të kenë kryer shërbimin vullnetar ushtarak. Ministria e mbrojtjes ofron pagë fillestare prej 21,000 deri në 24,000 denarë dhe kontratë pune trevjeçare, e cila mund të vazhdohet më shumë herë, por më së shumti deri në moshën 45 vjeçe të ushtarit, transmeton portalb.mk

Ushtarët e rinj duhet të mbushin largimin natyror të kuadrove tashmë “të moshuar”, të cilët do të pensionohen ose ri-caktohen në institucione të tjera shtetërore. Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska tashmë ka paralajmëruar që ushtarët pasi të kapërcejnë pragun e moshës ka mundësi të punësohen në ndonjë kompani shtetërore të sigurimit dhe shërbime për ushtrinë dhe objektet e saj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Lajmet më të lexuara