Stoltenberg: NATO njeh progresin e Maqedonisë, i bën thirrje Kuvendit të përfundojë procesin

22:24 | 5 Dhjetorë 2018

NATO njeh progresin e arritur dhe pret nga Kuvendi të përfundojë procesin e ndryshimeve kushtetuese, që burojnë nga Marrëveshja me Greqinë. Pas mbledhjes së ministrave të jashtëm në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i NATOs, Jens Stoltenberg inkurajoi vendin ta shfrytëzojë mundësinë historike për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Këtë mëngjes diskutuam për Ballkanin Perëndimor bashkë me Përfaqësuesen e Lartë, Federica Mogherini. Kjo edhe një herë dëshmon se NATO dhe BE janë të përkushtuara për stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Aleanca diskutoi progresin që Shkupi po e bën drejt anëtarësimit në NATO. Bisedimet anëtarësuese tashmë kanë filluar. Tani i takon Kuvendit në Shkup të përfundojë procesin dhe të shfrytëzojë këtë mundësi historike që ta sjellë vendin në aleancë.” theksoi – Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Ministri i Jashtëm, Nikolla Dimitrov tha se nëse Kuvendi mbaron me sukses ndryshimet kushtetuese dhe nëse Athina pas kësaj e ratifikon Marrëveshjen e Prespës, vendi mund të bëhet anëtarja e 30-të e NATO-s deri në vitin 2020. Pas takimeve në Bruksel, Dimitrov theksoi se anëtarësimi në NATO është garancë për kufijtë e shtetit, shkruan alsat-m.

“Për ne anëtarësimi në NATO do të thotë që Maqedonia do të qëndrojë këtu, në këto kufij. Prandaj është përmbushje e një nga qëllimet kryesore gjeostrategjike të të gjitha politikave të Maqedonisë, që nga pavarësia deri sot. Këtë porosi e mora edhe nga takimet dypalëshe. Asnjë vend nuk kishte pikëpyetje. Të gjithë që takova urojnë për procesin dhe na presin si vendi i 30 anëtar në Aleancë.”

Vendet anëtare të NATO-s në prezencë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Mogherini kishin mbledhje për Ballkanin Perëndimor, ku u diskutua për Maqedoninë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën Hercegovinën dhe Kosovën.

Shpërndaje në rrjete sociale